Kosova nuk lëviz nga renditja e FIFA-s, Shqipëria ngjitet për tri pozita

Kombëtarja e Kosovës në futboll nuk ka lëvizur nga vendi i 117-të dhe ka 1155 pikë në ranglistën e re të FIFA-s, që është publikuar të premten gjatë ditës.

“Dardanët” kanë qenë në pozitën e 117-të edhe në muajin tetor, por në muajin nëntor nuk patën suksese të mëdha.

Në këtë muaj, Kosova e humbi miqësoren me Shqipërinë 2:1, pësoi disfatë në Ligën e Kombeve nga Sllovenia me po të njëjtin rezultat, derisa fitoi në duelin e fundit të kësaj gare kundër Moldavisë me rezultatin minimal 1:0.

Ndryshe nga Kosova, Kombëtarja e Shqipërisë, falë sukseseve të arritura në këtë muaj, është ngjitur në renditje për tri pozita.

“Kuqezinjtë”, falë triumfit në Ligën C të Ligës së Kombeve, pozicionohen në vendin e 66-të në ranglistën e FIFA-s, me 1360 pikë. Pati tri fitore nga po aq ndeshje në këtë muaj. 2:1 e mposhti Kosovën, ndërsa në Ligën e Kombeve fitoi 3:1 kundër Kazakistanit dhe 3:2 kundër Bjellorusisë.

Belgjika vazhdon të jetë në vendin e parë në renditje me 1780 pikë, ndërsa Franca, Brazili, Anglia dhe Portugalia e plotësojnë top-pesëshen.