Shteti i Kosovës ua ka ndaluar dy klubeve serbe të volejbollit futjen në territorin e tij pasi nuk kishin marrë leje.

Në fakt, dy klube serbe të volejbollit, Bukovica nga Ivanjica dhe Ribnica nga Kraljeva, të dielën ia kishin mësyrë Kosovës për të zhvilluar ndeshje kampionale të Ligës Rajonale të Perëndimit të Zubin Potokut.

Presidenti dhe trajneri i klubit OK Graçanica, Milan Dabiç ka thënë për “KosSev” se një skuadër e femrave nga Bajina Basta është lejuar të shtunën të futej në territorin e Kosovës, ndërsa të dielën në Brnjak nuk ka mundur të depërtonte asnjë klub.

Të dielën, skuadrat nga Graçanica dhe Lipjani planifikonin t’i prisnin klubet nga Kraljeva dhe Ivanjica, njoftojnë mediat serbe.

Sipas Dabiç, ndeshjet janë shtyrë pasi klubeve të lartpërmendura serbe nuk u është lejuar futja në territorin e Kosovës.

Klubet serbe kanë mbetur të zhgënjyera që iu desh të ktheheshin mbrapshtë.

Por, rregullat janë rregulla: shteti i Kosovës nuk do t’i lë të futen në territorin e tij klubet që nuk marrin leje dhe aprovim.

Në vitet e pasluftës, deri vonë, klubet serbe futeshin në territorin e Kosovës, madje zhvillonin edhe ndeshje kampionale, krahas atyre miqësore “bamirëse”.

Mirëpo muajt e fundit atyre po iu ndalohet hyrja në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës.