Kosova nis përgatitjet për ndeshjen ndaj Moldavisë

Një pjesë e lojtarëve të Kombëtares së Kosovës në futboll e kanë zhvilluar seancën stërvitore në “Fadil Vokrri”, të hënën në mbrëmje, një ditë pas disfatës nga Sllovenia në Lubjanë me rezultatin 2:1.

Të pranishëm në stërvitje ishin vetëm 10 lojtarë: Samir Ujkani, Visar Bekaj, Lirim Kastrati, Atdhe Nuhiu, Florent Hasani, Herolind Shala, Elbasan Rashani, Ibrahim Dresheviq, Mirlind Daku dhe Bersant Celina.

Celina mungoi ndaj Sllovenisë për shkak të një lëndimi. Lojtarët që kanë luajtur më shumë ndaj Sllovenisë nuk kanë ushtruar. Sipas FFK-së, ata kanë pasur rigjenerimin në hotel.

Në stërvitjen e së hënës vërehej atmosferë e zymtë, pas rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit. Lojtarët kryen stërvitjen nën urdhrat e trajnerit të parë, Muharrem Sahiti, i cili po e zëvendëson Bernard Challandesin që vazhdon të mbetet i izoluar në Shqipëri pasi ka rezultuar pozitiv në testimin për koronavirus. Challandesi është testuar sërish të hënën dhe rezultatin do ta marrë të martën. Të hënën është testuar edhe i gjithë ekipi për Covid-19 dhe rezultatet do të bëhen të ditura të martën. Ka pasur dyshime për ndonjë të infektuar në mesin e lojtarëve.

Të pranishëm në stërvitje ishin edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, kryetari Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. KOHA ka kontaktuar me trajnerin Muharrem Sahiti, i cili e drejtoi Kosovën në ndeshjen kundër Shqipërisë dhe atë ndaj Sllovenisë, por ai nuk është prononcuar, duke u arsyetuar se nuk është i autorizuar për një gjë të tillë. Sahiti pritet të dalë në konferencën për media që do të mbahet të martën pasdite, një ditë para ndeshjes.

KOHA ka tentuar të marrë një prononcim për gjendjen aktuale në përfaqësuese edhe nga drejtuesit e FFK-së, por askush nuk ka pranuar të flasë. Siç mëson KOHA, me urdhër të kryetarit Agim Ademi askush nuk ka pasur të drejtë të prononcohet për media.

Pas humbjes ndaj Sllovenisë futbollisti Bernard Berisha që luajti për 84 minuta tha se Kosova nuk mund ta humbë motivin për ndeshjen ndaj Moldavisë, pavarësisht disfatës nga Sllovenia.

“Ne nuk duhet ta humbim vullnetin për ndeshjen e ardhshme kundër Moldavisë për ta mbyllur këtë cikël me fitore. Ka qenë një lojë e luftuar nga ne, pasi të gjithë kemi treguar karakter dhe nëse vazhdojmë kështu do të kthehemi te fitoret. Jemi skuadër e fortë dhe duhet të luftojmë për njëri-tjetrin. Vetëm kështu mund t’ia dalim”, kishte deklaruar Berisha, i cili si duket e ka kaluar problemin që kishte me përzgjedhësin Bernard Challandes, pasi në dy ndeshjet e nëntorit luajti si titullar.

Kosova ka seri negative të rezultateve në 10 ndeshjet e fundit, ku nuk ka arritur asnjë fitore. Ka dy barazime dhe ka pësuar plot tetë humbje. Kosova së bashku me Moldavinë dhe Estoninë janë tri përfaqësueset e vetme në Ligën C që deri më tani nuk kanë shënuar asnjë fitore.

Për “Dardanët’ kjo është seria më e gjatë pa fitore qëkur përzgjedhës është emëruar Bernard Challandes. Ndeshjen e radhës të fundit në Ligën e Kombeve “Dardanët” do ta luajnë të mërkurën kundër Moldavisë në “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45. Me 2 pikë, Kosova zë vendin e tretë në Grupin 3 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Kosova në pesë ndeshje të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve ka pësuar tri humbje dhe ka dy barazime. Ka humbur nga Sllovenia në dy ndeshje, brenda dhe jashtë, nga Greqia në “Fadil Vokrri”, si dhe ka barazuar me Moldavinë dhe Greqinë si mysafire.

Fitorja dhe barazimi ia sigurojnë qëndrimin në Ligën C edhe në edicionin tretë të garës evropiane për përfaqësuese. Në rast të humbjes duhet të luajë në plejof për të siguruar qëndrimin në këtë nivel garash, përndryshe do të zbresë sërish në Ligën D.