Virtyt Gacaferri

Kosova në “The Economist impact”: A është kjo rruga më e mirë deri te audienca e sofistikuar?

Nga: Virtyt Gacaferri

Oda Ekonomike e Kosovës, me fonde te veta dhe të organizatave ndërkombëtare kishte botuar një tekst në Economist Impact, botim i The Economist Group që gjithashtu boton njërën prej revistave më me ndikim në botë, The Economist. Këta emra janë të ngjashëm, por dallimi është i madh. Në The Economist shkruajnë gazetarët dhe analistët, ndërsa në Economist Impact shkruajnë profesionistët për tekste të paguara.

Edhe pse teksti ishte i paguar, aty kishte shumë të vërteta. Mirëpo, nuk përmendeshin shumë vështirësi që ka ekonomia e Kosovës.

Pa marrë parasysh se a është teksti i sponsorizuar apo jo, kujtoj se secili kosovar duhet ta mbajë kokën lartë për suksesin e bizneseve që janë përmendur në atë tekst. Konsideroj, dhe ka shumë gjasa të jetë e vërtetë se vetëm puna për kompani ndërkombëtare, nga Kosova, si dhe inovacioni mund ta mbajnë këtë vend me ekonomi stabile. Në tekst, të gjitha kompanitë ishin të tilla dhe një duartrokitje për ta!

Pasi kjo u tha, në mënyrë që të hiqen keqkuptimet e ndryshme se teksti komenton suksesin e kompanive më të mira kosovare, do të vazhdojmë me temën e keqpërdorimit të këtij teksti për shtyrje agjendash dhe gënjeshtrash se kinse u botua në revistën The Economist.

Shtyrja e agjendave politike dhe militante u bë në të gjitha drejtimet.

Botimi u shfrytëzua nga proqeveritarët për të thënë: shiko të arriturat e Kosovës me këtë qeveri (në The Economist!); si dhe nga antiqeveritarët për të thënë: shiko se si Qeveria po sponsorizon artikuj për të bërë propagandë! Si zakonisht, militantët e të gjitha ngjyrave e kishin gabim.

Kthimi i diskutimit se kush i ka meritat për këtë zhvillim ekonomik, largoi vëmendjen nga diskutimi që do të mund të bëhej: cila është mënyra më e mirë për promovimin e kompanive kosovare. Kështu, debati që do të ishte i dobishëm, u kthye në militantizëm politik dhe rezultat ishte rritja e ndasive në shoqëri.

Efekti i tekstit ra pasi, që në fillim, projekti u promovua gabimisht nga disa partnerë. Zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës kishin shkruar se “programi i marrëdhënieve me publikun” për promovimin e Kosovës si vend ku startapet [startup] dhe inovatorët janë duke e bërë ndryshimin, u lansua si botim në revistën The Economist. Qysh në një postim të hershëm të fushatës, u tha: “Promovimi në The Economist”.

Në botën e marketingut dhe të marrëdhënieve me publikun, çështja e gënjeshtrës trajtohet nga këndet e ndryshme, e njëra ndër to është edhe ajo legale. Përveç kësaj, kjo mënyrë e reklamimit – sidomos për audiencat e shkolluara – mund të jetë kontraproduktive.

Në biznes mund të reklamosh një shërbim që ka kosto të fshehta, vetëm për ta sjellë klientin te “dera” e ueb-faqes apo e dyqanit dhe, pastaj, pasi klienti vjen te ti, bëhet nervoz se premtimi nuk është mbajtur. Në biznes kjo do të rezultonte me humbje të reputacionit dhe ndikim në fushatat e ardhme.

Çështja e dytë është nëse reklamimi me artikuj të sponsorizuar arrin në ndonjë rezultat? Si profesionist i kësaj fushe, jam kundër këtyre botimeve. Shpeshherë këto bëhen për t’u cituar me vonë, si “shih se si filan mediumi shkruan për ne”. Këto metoda mund të jenë të efektshme për audiencën e pashkolluar, por për të të sofistikuarit mbetet mashtrim në tentativë.

Kompania që udhëhoqi projektin e USAID-it e që ka qenë pjesë e botimit. DT Global, nuk ka kthyer përgjigje se pse kanë vendosur ta bëjnë këtë aktivitet dhe nëse ai ka qenë i suksesshëm. USAID-i e ka kthyer emailin ku kam shtruar pyetjet rreth suksesit, por ata nuk janë përgjigjur në pyetje, veçse kanë shkruar tekst irelevant në lidhje me këtë tekst dhe me pyetjet e mia (përgjigjen e tyre e gjeni në fund të këtij shkrimi). Mendoj se mungesa e përgjigjes, nëse fushata ishte e suksesshme ose jo, nuk është shenjë e mirë suksesi!

Me përvojën time në marrëdhënie me publikun, ku në media përfshihet përmendja e kompanisë time apo e klientëve – si në The Financial TimesBBCThe Guardian dhe në mediume prestigjioze në Azi – konsideroj që pagesa e artikujve të sponsorizuar nuk është metoda më e mirë e marrëdhënieve me publikun. Më mirë është të punosh me media dhe t’i bindësh se vendi yt është material i vlefshëm për t’u mbuluar, pozitivisht, apo duke bërë ngjarje me njerëz të famshëm. Por, mendoj unë, më me rëndësi është të mos gënjesh! Se të nxojnë!

__________

P. S.

Pyetjet që ia kam dërguar USAID, për të cilat nuk kam marrë përgjigje:

Kontraktori juaj DT Global, që menaxhon një nga projektet e juaja, ka propozuar dhe ka paguar për botimin e artikujve të sponsorizuar në Econimist Impact. E kam kontaktuar kompaninë, por ata nuk janë përgjigjur. Po për këtë, shfrytëzoj rastin që t’jua shtroj juve pyetjet e njëjta nëse mund të më ndihmoni.

– A ka pasur ky artikull rezultate pozitive dhe cilat janë ato?

– Sa keni paguar për këtë artikull?

Përgjigja e USAID-it ka qenë:

Një nga prioritetet kyçe të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, është përkrahja e përpjekjeve kosovare që të ndërtohet një ekonomi inovative dhe e vetëmbajtur që ofron mundësi dhe nxitje që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, që investitorët të investojnë dhe ndërmarrësit të ndërtojnë bizneset e veta.

USAID-i punon që të fuqizojë sektorin privat në Kosovë, duke promovuar krijimin e vendeve të punës dhe duke e përmirësuar mundësinë që të garojë në tregun lokal, rajonal dhe global. Brendimi dhe pozicionimi i pamjaftueshëm i vendit është një nga pengesat kryesore të firmave kosovare në tërheqjen e klientëve dhe të investitorëve të huaj, duke kufizuar mundësitë e rritjes.

Nëpërmes aktivitetit COMPETE, USAID-i është duke promovuar partneritetin me asociacione, në mënyrë që të ndihmojë në transformimin e imazhit të Kosovës dhe të theksojë kapacitetin e Kosovës si ekonomi në rritje, me ndërmarrës kreativë dhe me kompani inovative. Kjo punë përfshin edhe punën me media të ndryshme, në mënyrë që të arrihen audiencat kyçe në përkrahje të këtyre qëllimeve.

COMPETE përkrah sektorin privat në Kosovë që në mënyrë efektive të marrë pjesë në tregjet lokale, rajonale dhe globale, duke qenë në linjë me qëllimet kyçe.