Kosova luan me Maltën e Guinenë, jo me Kazakistanin e Komorosin

Kombëtarja e Kosovës në futboll i janë ndërruar dy prej katër kundërshtarëve të qershorit. Në vend të Kazakistanit, Kosova më 4 qershor luan ndaj Maltës në Austri. Ndërsa në vend të Komorosit, Kosova në Antalia të Turqisë përballet me Guinenë. Këtë e ka bërë të ditur FFK-ja të martën.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se për shkak që Qeveria e Kazakistanit nuk e ka lejuar Kombëtaren e këtij vendi të udhëtojë në Kosovë, ndeshja miqësore e paraparë për t’u zhvilluar më 4 qershor në Prishtinë, Kosovë – Kazakistan është anuluar, derisa në këtë datë ‘Dardanët’ do të luajnë miqësore me Maltën në Austri. Ndërkohë, miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalia më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e Covid-19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalia”, thuhet në njoftim.

Me Maltën, Kosova luan me ekipin A, ndërsa me Guinenë me lojtarë kandidatë për vend në përfaqësuese. “Të rikujtojmë se ‘Dardanët’ gjatë muajit qershor do t’i zhvillojnë katër miqësore. Fillimisht më 1 qershor do të përballen me San Marinon në ‘Fadil Vokrri’, e më pas do të udhëtojnë në Austri për t’u përballur me Maltën (më 4 qershor), derisa më pas do të udhëtojnë në Antalia, ku do të zhvillojnë miqësoret me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor”, vazhdon njoftimi i FFK-së.