Kosova luan baras edhe në miqësoren e dytë me Bullgarinë

Kombëtarja U17 e Kosovës, ka barazuar edhe në ndeshjen e dytë miqësore kundër Bullgarisë, të luajtur në Sofje. Dueli i zhvilluar të premten, gjithashtu ka përfunduar pa gola sikurse ndeshja e parë që u zhvillua të mërkurën.

Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), thuhet se pjesa e parë ishte e baraspeshuar në të dyja anët derisa në pjesëlojën e dytë, Kosova ishte me një futbollist më pak pasi Arjol Bllaca u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë.

Përzgjedhësi Arsim Abazi ka mbetur i kënaqur si me lojën por edhe dy rezultatet pozitive ndaj Bullgarisë.

“Paraqitja e sotme ka qenë shumë e mirë. Dëshira dhe angazhimi i lojtarëve për të mbrojtur ngjyrat e vendit të tyre është i jashtëzakonshëm. Të gjithë lojtarët kanë treguar lojë shumë të mirë dhe të disiplinuar, edhe pse më shumë se 25 minuta kemi luajtur me një lojtar më pak. Por, në atë periudhë të lojës djelmoshat tregun karakter luftarak në fushë dhe arritëm që edhe këtë ndeshje ta mbyllim pa gola. Ashtu sikurse në miqësoren e parë edhe këtë herë i kemi aktivizuar të gjithë lojtarët që kishim në dispozicion dhe me secilin prej tyre jam i kënaqur me atë çfarë kanë treguar. Tani e kemi një pasqyrë reale të secilit dhe na mbetet që të vazhdojmë me punë për të krijuar ekip sa më konkurrues dhe kompakt”, ka thënë Abazi për sajtin zyrtar të FFK-së.