Kosova humb thellë edhe nga Finlanda

Humbje të re kanë pësuar të mërkurën basketbollistet e përfaqësueses U-18 të Kosovës. Në kuadër të kampionatit evropian, Divizioni B, që po mbahet në Shkup, Kosova U-18 pësoi nga Finlanda me shifrat 93:37.

Në çerekun e parë lojtaret e Kosovës kanë shënuar vetëm katër pikë, por janë përmirësuar paksa në tre çerekët e tjerë. Fitorja e Finlandës ishte bindëse dhe asnjëherë nuk është vënë në dyshim. Dea Pushkolli me 11 pikë ishte më efikasja te Kosova, ndërsa ajo shtoi edhe pesë kërcime e dy asistime.

Kishte edhe gjashtë topa të humbur. Enira Kamerolli kontribuoi me nëntë pikë, ndërsa lojtaret e tjera nuk shënuan më tepër se pesë pikë. Kosova është renditur e fundit në grup me pesë ndeshje të humbura, raporton “Koha Ditore”. Të martën pësoi për vetëm një pikë nga Norvegjia, ndërsa në hapje të evropianit kishte humbur 97:12 nga Sllovenia. Humbje të tjera të thella janë pësuar nga Estonia (100:35) e Danimarka (106:37).

Ndërkohë në volejboll, përfaqësuesja U-18 e meshkujve ka humbur edhe ndeshjen e pestë në kuadër të kampionatit ballkanik, që u mbajt deri të mërkurën në Ferizaj. Kosova ka përfunduar e fundit pa asnjë fitore. Të mërkurën Kosova U-18 pësoi nga Mali i Zi me 3:1 në sete.

loading…