Kosova favorite e madhe ndaj Malit të Zi, sipas bastoreve botërore

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar bindshëm Kosovën kundër Malit të Zi, në përballjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, e cila do të zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, Bet-at-home, e sheh Kosovën si favorite të madhe pasi i ka vënë kuotën 1.61 për të fituar, derisa fitores së mundshme të Malit të Zi i vë kuotë shumë të lartë, 5.75. Barazimi vlerësohet me kuotën 3.60.

Kombëtarja e Kosovës do ta presë Malin e Zi sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe çfarëdo rezultati përveç fitores nënkupton se verdhekaltrit rrezikojnë të mbesin jashtë garës për kualifikim në Euro 2020.

Kosova po shpresonte se me një fitore eventuale kundër malazezëve në shtëpi, do të ngritej në pozitën e dytë me dy pikë mbi rivalin e drejtpërdrejt për këtë vend, Republikën e Çekisë – të fundit që dërgon në Euro përmes kualifikimeve – por gjërat ndryshuan pas fitores së papritur të çekëve kundër lideres së Grupit A, Anglisë, të premten në Pragë.

Kjo nënkupton se tani verdhekaltërve u duhet fitorja për t’iu afruar Çekisë në vetëm një pikë para duelit të drejtpërdrejt në xhiron e ardhshme në Pragë.

Shumica e kompanive të basteve e shohin Kombëtaren dardane si favorite të madhe, duke ditur rëndësinë e kësaj ndeshje dhe terren në të cilin luhet.

Me vetëm tri pikë dhe pa asnjë fitore në vendin e parafundit në Grupin A kualifikues, Mali i Zi i ka humbur gjasat për kualifikim, ndërkohë që Kosova, e treta me katër pikë më pak se vendi i dytë, Republika e Çekisë, por me një lojë në dispozicion për ta zhvilluar, është ende në garë për t’u kualifikuar.

loading…