Kosova e fillon me disfatë misionin për kualifikim në EuroBasket

Ekipi kombëtar i Kosovës ka pësuar disfatë me rezultat 88:80 në ndeshjen kundër Luksemburgut, e vlefshme për parakualifikimet në Eurobasket 2021.

Pas një pjese të parë të mirë, djemtë e Kosovës e patën të vështirë ta mbajnë të njëjtin intensitet dhe u ndëshkuan për këtë gjë nga Kombëtarja e Luksemburgut, raporton Gazeta Express.

Ndeshja ishte e vlefshme për Grupin G në rrethin e tretë të parakualifikimeve për EuroBasket 2021, ku bën pjesë edhe Britania e Madhe.

Më 7 dhe 14 gusht, Kosova do ta presë Britaninë e Madhe dhe Luksemburgun në Mitrovicë, ndërsa ndeshjen kthyese me britanikët do ta zhvillojë më 17 gusht.

Dardan Berisha ka shënuar 23 pikë, derisa Divine Myles shtoi 19. Pikë dyfshirore shënuan edhe Mikaile Tmusiq 16 dhe Drilon Hajrizi 11.

Fituesi i grupit kualifikohet në rrethin tjetër, për këtë arsye secila ndeshje do të ketë rëndësi për shpresat e Kosovës për ta vazhduar rrugëtimin drejt kualifikimit në EuroBasket.

Kosova i filloi përgatitjet më 15 korrik, duke stërvitur dy herë në ditë, kurse gjatë kësaj periudhe, ka zhvilluar edhe katër ndeshje miqësore, dy me Sllovakinë në udhëtim dhe dy me Shqipërinë në Prishtinë.

loading…