Sfida e sotme mes Anglisë dhe Kosovës ka pushtuar jo vetëm mediat tona, por edhe ato botërore. “Ndeshje e “çmendur”, Kosova nuk dorëzohet, luhet basketboll”, ishte një prej komenteve të BBC.

Kjo sfidë premtoi spektakël që në minutën e parë, pasi në sekondën e 28 Valon Berisha zhbllokoi rezultatin duke shokuar anglezët, por festa jonë zgjati shumë pak pasi në minutën 7’ nga një goditje këndi “tre luanët” arritën të barazonin me Sterling.

Vendasit nuk u mjaftuan me kaq. Në minutën 19’ Kane kaloi skuadrën në avantazh.

20 minuta më pas një “own-goal” i Mërgim Vojvodës trefishoi shifrat për anglezët, që më pas e kthyen portën kosovare në “tabelë qitjeje”.

Sancho në të 44’ shënoi golin e katërt dhe 1 minutë më pas golin e pestë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 5-1.

Kur u mendua se Anglia e “çmontoi” mbrojtjen e Kosovës, dhe priteshin gola të tjerë nga luanët, ishin miqtë që befasuan sërish.

Në minutën 49’ ishte përsëri Berisha që shënoi golin e dytë për skuadrën dhe të dytin personal. Gjashtë minuta më pas Muriqi ngushtoi diferencat në 5-3, duke i dhënë shpresë tifozëve, por kaq ishte.

Ëndrra “dardane” përfundoi, por la pas një sfidë spektakolare, me grindë, emocion dhe gola.