Koscielny dëshironte dështimin e Francës në Kupën e Botës

Laurent Koscielny ka anoncuar pensionimin e tij nga kombëtarja e Francës teksa ka zbuluar se suksesi i “gjelave” në Kampionatin Botëror e ka dëmtuar më shumë se lëndimi në tendinë.

Koscielny u lëndua në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalet e Europa League përballë Atletico Madridit duke mbetur jashtë grumbullimit të Francës për Kupën e Botës në Rusi.

“Mendoj se kam dhënë gjithçka për kombëtaren e Francës. Tani kemi një gjeneratë të shkëlqyeshme ndërsa karriera ime te Franca është e përfunduar. Unë dëshiroja që Franca të kalonte tutje në Kupën e Botës por në anën tjetër dëshiroja që edhe të humbasin. Është egoiste por kjo është jeta dhe ato ishin ndjenjat e mija në ato momente. Mendoj se suksesi i Francës më shkaktoi probleme psikologjike më shumë se lëndimi”, zbuloi Koscielny.

Ish kapiteni i “Les Bleus” tregoi se gjatë kësaj kohe nuk u kontaktua nga selektori i Francës, Didier Deschamps, përveç një mesazhi me rastin e ditëlindjes.

Koscielny shtoi se mezi pret të rikthehet nga lëndimi për të dhënë kontributin e tij te Arsenali, me të cilët ka kontratë deri në vitin 2020.