Zyrtare

Koret raciste: Interi do të luajë pa tifozë në dy ndeshje

Pas incidenteve gjatë ndeshjes së djeshme kundër Napolit, Interit i është shqiptuar dënimi nga Lega Seria për t’i zhvilluar dy ndeshjet e radhës në San Siro pa tifozë, si dhe një ndeshje shtesë dënim për tifozët ultras, “Curva Nord”.

Fitorja e Interit me rezultat 1-0 ndaj Napolit mbrëmë u prish nga skenat e tmerrshme pasi që katër tifozë u therën me thikë, një tifoz vdiq pasi u shkel me furgon dhe Kalidou Koulibaly ishte viktime e koreve raciste.

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, kishte thënë se ka kërkuar tre herë nga gjyqtari që të suspendohet ndeshja mes Interit dhe Napolit, mirëpo kjo kërkesë nuk i ishte pranuar.

Fillimisht, drejtori i Policisë së Milanos, Marcello Cardona, ka thënë se ai do të kërkojë që tifozët ultras të Interit të mos lejohen të shkojnë në ndeshjet e klubit të tyre si mysafirë, si dhe të mbyllet “Curva Nord” deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

“Ndodhën disa incidente shumë seriozë, kështu që unë kërkoj nga Komiteti i Rendit Publik që të mos i lejojë tifozët e Interit në ndeshjet e klubit si mysafir deri në fund të këtij sezoni, si dhe kërkoj mbylljen e ‘Curva Nordit’ në San Siro deri më 31 mars të vitit 2019, ose për pesë ndeshje plus një të Kupës së Italisë”.