Kontrata enorme që ka përgatitur Unitedi për Pogban

Manchester Unitedi ka përgatitur një kontratë enorme që do t’i ofrojë Paul Pogbas me qëllim që ta bindë për të qëndruar në Old Trafford.

Real Madridi dhe Juventusi janë në garë për shërbimet e mesfushori francez, për të cilin janë të përgatitur të paguajnë shuma të majme parash, ndërsa vet lojtari ka shprehur interesim për një sfidë të re.

Megjithatë, Djajtë e Kuq nuk e duan largimin e tij, prandaj do ta bëjnë përpjekjen e fundit për ta mbajtur në skuadër.

Bordi i Unitedit tashmë e ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë largimin e tij për më pak se 150 milionë funte (168 milionë euro), teksa deri më tani janë përmendur shuma ndërmjet 125 milionë euro (Reali) dhe 140 milionë euro (Juventusi).

Nga ana tjetër, Unitedi planifikon t’i ofrojë 500.000 funte (560.470 euro) në javë që do ta bënte ndër më të paguarit në klub, së bashku me Alexis Sanchezin.

Kjo do të ishte një ngritje e madhe page (afro dyfishi), duke qenë se Pogba aktualisht paguhet 290.000 funte (325.090 euro) në javë. Mesfushori ka edhe dy vite në kontratën e tij me Unitedin me opsionin për ta vazhduar edhe për një vit, prandaj klubi nuk ndjen presion për ta shitur.