NKEC

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, qeverisë: Të shuhet ndërmarrja publike NKEC

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore, kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me mosveprimin e qeverisë në raport me ndërmarrjen publike Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës.

Kjo pasi sipas konsorciumit të këtyre organizatave, Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC) kryen shpenzime buxhetore nga paratë publike, ndonëse nuk kryen asnjë funksion në tregun e energjisë në Kosovë.

“NKEC ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, projekt ky tashmë i anuluar”.

“Megjithatë, NKEC nuk ka nisur asnjëherë operimin efektiv, duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend, përkundër  prezentimit të planeve të biznesit tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (Njësia) pranë Ministrisë së Ekonomisë në vitet 2020 dhe 2021”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv

Tutje, në reagim bëhet e ditur se sipas deklarimeve në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, vetëm kosto e pagesave për anëtarët e bordit dhe stafit të ndërmarrjes për vitin 2022, kap vlerën e rreth 96 mijë eurove, ndërsa vetëm Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje kishte pagë mujore prej 2 mijë euro.

“Në komunikatën e datës 27 mars 2019 të subjektit politik që sot qeveris me vendin ishte thënë se NKEC “do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme”.

“Për më tepër, në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës emëroi anëtarët e ri të bordit të kësaj ndërmarrje, pas shkarkimit të bordit të vjetër, pavarësisht që ndërmarrja mbetet jo aktive. Për më tepër, në bordin aktual ka anëtarë të emëruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike”.

“Anëtarja e bordit, znj. Elvisa Destanovic ka garuar me iniciativën “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021. Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në Bordin e Drejtorëve nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike””, thuhet tutje në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile në fund ka kërkuar nga Qeveria e Kosvoës të vendosë sa më shpejtë lidhur me këtë ndërmarrje, nëse do t’i ngarkojë një rol në sektorin e energjisë ose ta mbyllë krejtësisht atë.