Konrad: Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi po bllokon shumë kapacitete

Ambasadorja e Gjermanisë në Beograd, Anke Konrad, vlerësoi sot se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po bllokon shumë kapacitete në Serbi.

Këtë Konrad e ka thënë për mediumit pro regjimit të Vuçiqit, “Tanjug”, duke iu përgjigjur pyetjes se a do të ketë pasoja nëse asgjë nuk ndodh në Ohër më 18 mars.

Sipas saj, “duhet të përqendrohemi në sfidat përpara dhe që procesi i normalizimit të vazhdojë sa më shpejt”.

“Sapo të ndodhë kjo, do të ketë më shumë potencial dhe një rrugë më të shpejtë për në BE,” tha Konrad.

Konrad tha se pasojat janë të diskutueshme dhe se kur është fjala për Kosovën, nuk ka zgjidhje të menjëhershme për konfliktin.

“Unë nuk mendoj se dikush do të thotë – nëse nuk tregoni rezultate deri më 18 mars se është fundi. Nuk është. Ne kemi punuar në diskrecionin e normalizimit të marrëdhënieve për një kohë shumë të gjatë, veçanërisht në disa të fundit. Ne jemi duke u përpjekur të tregojmë realisht se normalizimi mund të arrihet dhe shpresojmë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve të gjejnë një kompromis. Është e qartë se është e vështirë, por të gjejmë një marrëveshje, një kompromis dhe të ecim përpara drejt BE”, tha Konrad.