Në seancën e 10 gushtit të vitit 2016, deputetë të Vetëvendosjes kishin hedhur gaz lotsjellës. Mes tyre, ishin edhe Driton Çaushi dhe Glauk Konjufca. Por i pari, ishte dënuar me 1 vit e dy muaj burg me kusht, kurse i dyti, u lirua sot nga akuza.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur sot aktgjykim lirues ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Aktgjykimi ndaj Konjufcës u shpall nga gjykatësja Edita Çanta.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatëses Çanta, nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, është refuzuar akuza.
I njëjti lirohet nga pagesa e shpenzimeve të procedurës penale dhe paushallit gjyqësor. Këto shpenzime bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi
Më 13 prill 2022, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin prej 1 viti e 2 muaj burgim me kusht, të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj ish-deputetit Driton Çaushi, për akuzat se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare, kryetarin e Kuvendit dhe deputetët.
Më 12 tetor 2021, Çaushi ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, kurse me 3 muaj burgim me kusht për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej 2 vitesh, raportonte “Betimi për Drejtësi”.
Apeli kishte refuzuar ankesën e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke e lënë kështu në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.
Lidhur me lirimin e Konjufcës, pati shumë reagime, e njëri nga ta, ishte i Natyra Kuçit të PSD-së, e cila thotë se ‘lirimi i Konjufcës dhe dënimi i Çaushit’, tregon për standard të dyfishtë të drejtësisë.
Glauk Konjufca sot u shpall i pafajshem per hedhje te gazit lotsjelles ne Kuvend, perderisa Driton Çaushi denohet 14 muaj burgim me kusht. Njesoj edhe Albulena Haxhiu ishte shpallur e pafajshme per rastin e hedhjes se gazit.
Glauku ne 2019 e ka pranu vepren me mburrje, ndersa para gjykate kane genjyer edhe ai edhe avokatja ne emer te tij. Kryeparlamentarin e kemi mashtrues. Por, gjykatat qe denojne Dritonin e shpallin te pafajshem Glaukun çka jane?”, shkruan ajo.
VIDEO BONUS: Glauk Konjufca shpallet i pafajshëm për akuzat për lotsjellësin në Kuvend







