Glauk Konjufca

Konjufca: Me ndërhyrjen ushtarake luftës sonë iu njoh karakteri, besimplotë se Kosovën do ta shohim shpejt në NATO

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s 26 vjet më parë, që përfunduan me fundin e luftës në vend.

Konjufca shkroi në Facebook se “me ndërhyrjen e NATO-s luftës sonë çlirimtare iu njoh zyrtarisht karakteri universal si luftë për mbrojtjen e vlerave të lirisë, jetës, demokracisë, dinjitetit, të drejtave të njeriut dhe të popujve”.

“Kjo datë ka protagonistët e saj, me presidentin Bill Clinton, sekretaren e shtetit Madeleine Albright dhe gjeneralin Wesley Clark, ShBA-në dhe të gjithë shtetet mike brenda aleancës së NATO-s, mirënjohja ndaj të cilëve është e pamatshme, rëndësia e të cilëve është e pazëvendësueshme”, shkroi Konjufca.

“Republika e Kosovës ka në themelet e saj sakrificën dhe përpjekjen e popullit tonë për liri, heronjtë, dëshmorët dhe martirët, por edhe këtë akt historik të NATO-s, i cili për herë të parë që nga themelimi i saj ndërhyri drejtpërdrejt kur Serbia me në krye Millosheviqin po kryente spastrim etnik dhe gjenocid mbi popullin shqiptar në vendin tonë, brenda kontinentit evropian dhe para syve të gjithë botës. Këtë të shkuar ne e mbartim me dhimbje, por edhe me krenari të madhe, duke punuar në suaza të kësaj fryme, për një shtet që mbron vlerat e demokracisë, në emër të të cilave erdhi edhe ndërhyrja e NATO-s.
Në këtë kuptim, edhe dje, edhe sot, ishim dhe jemi bashkë, Kosova dhe NATO me të njëjtat vlera të njerëzve dhe popujve të lirë”, shtoi kryeparlamentari.

Konjufca përmendi edhe synimin e vendit për t’u anëtarësuar në NATO. Këtë rrugë, ai tha se “na e definon historia”.

“Sot, Republika e Kosovës aspiron anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. Këtë na e definon historia, ajo që besojmë e për çka angazhohemi. Prandaj jemi të bindur dhe besimplotë se shtetin tonë do ta shohim në NATO në një të ardhme jo të largët, aty ku përkasim”, shkroi ai.