Konjufca ia tërheq vërejtjen deputetit të PDK-së: Mund të ta ndërpres fjalën

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka paralajmëruar deputetin e PDK-së, Fadil Nura se mund t’ia ndërpres fjalën e tij në Kuvend, pasi ky i fundit bëri një krahasim të fushatës së LVV-së në Shqipëri me periudhën e pas luftës së dytë botërore atje.

Nura përmendi Dushan Mugoshën e Miladin Popoviqin, dy delegatët jugosllavë që ndihmonin në bashkimin e grupeve komuniste të kohës, duke e krahasuar me këtë rast pjesëmarrjen e zyrtarëve të LVV-së në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat u mbajtën dje.

“Një ekspeditë e tillë ta kujton historinë analoge të Dushan Mugoshës e Milladin Popoviqit pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Veçse Kosova atëherë për dallim nga tash, ishte e mbyllur nën administrimin ushtarak jugosllav”, tha Nura.

Fjalën ia ndërpreu përkohësisht Konjufca, duke e paralajmëruar se ajo mund t’i ndërpritet krejtësisht nëse vazhdon të flasë me këtë fjalor.

“Z. deputet, një vërejtje për fjalorin. Nëse përdorni kësi krahasimi, mund t’ju ndërpritet fjala. Vetëm po ju jap vërejtje fillestare dhe po ju lajmëroj”, tha Konjufca.