Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa nuk do të luajë më këtë sezon, pasi është pezulluar për 8 ndeshje nga Disiplina në Federatën Spanjolle.

Dënimi lidhet me sjelljen rrugaçërore të braziliano-spanjollit në ndeshjen kundër Barcelonës javën e shkuar.

Në pjesën e parë Diego Costa shkoi tek gjyqtari për të kundërshtuar një vendim dhe lëshoi një breshëri ofendimesh, duke i përmendur edhe nënën gjyqtarit.

Karton i kuq direkt, ndërsa Diego Costa justifikohej duke pretenduar se kishte sharë veten e tij dhe jo gjyqtarin.

Gjithsesi, Federata spanjolle ka pasur edhe audio në dispozicion dhe Diego Costa ka marrë dënimin maksimal, 8 ndeshje.

Sulmuesi mbyll sezonin dhe sjellja e tij me siguri do të detyrojë Atletico Madridin ta heqë qafe në merkaton verore.