Konfirmohen zërat që pretendonin se Neymar ka kërkuar rikthimin te Barcelona

Neymari ka kërkuar të kthehet në Barcelonë këtë verë, por ende nuk ka pasur bisedime me Paris Saint-Germainin për të, ka thënë të enjten zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Cardoner.

Muajt e fundit mediat e ndryshme botërore raportuan se Neymar është i palumtur në Francë dhe se dëshiron të kthehet në atë që e ka quajtur, shtëpi, në Camp Nou.

Kjo tani është konfirmuar edhe nga numri dy i gjigantit katalonas.

Sulmuesi brazilian iu bashkua PSG-së verën e vitit 2017 nga kampioni spanjoll për një shumë rekord botëror tash e asaj dite, 222 milionë euro.

Neymar ka bërë gola dhe ka fituar trofe në PSG, por thuhet se i ka munguar lumturia prandaj edhe po kërkon të largohet këtë verë.

Është raportuar se Barcelona do të donte ta kthente në klub atë, por deri tani nuk ka pasur bisedime për këtë.

“Nuk është koha të flasim për blerjet. Jemi në një proces shitjes, në një periudhë që do të mbarojë më 30 të këtij muaji”, tha Cardoner i pyetur për Neymarin.

“Gjëja e saktë që duhet thënë është se Neymari dëshiron të kthehet në Barcelonë, ama nuk pajtohem se brengoset për transferimin e Neymarit, kjo nuk është në agjendë. Mua nuk më kanë pëlqyer shumë gjëra për largimin e tij, shumë gjëra”, shpjegoi ai.

“Ka pohime se ne e kemi blerë Neymarin. Nuk e kemi blerë askënd. Ne nuk e kemi ruajtur kontaktin me të. Ai dhe shumë të tjerë duan të luajnë për Barcelonën”, shtoi ai.