Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e a ka quajtur “skandaloze” konferencën për media të Lëvizjes Vetëvendosje para Prokurorisë Speciale për rastin e vdekjes së aktivistit të LVV-së, Astrit Deharit në vitin 2016.

“Konferenca e LVV-së për rastin Astrit Dehari, skandaloze, e turpshme madje edhe e pa moralshme. Rasti i Astrit Deharit është rasti që shpërfaqë pafytyrësinë dhe logjikën e turpshme, se çfarë është në gjendje të bëjë një parti politike në rastin konkret Lëvizja Vetëvendosje për të ardhur dhe mbajtur pushtetin”, shkroi ai në Facebook.

Selmanaj ka shtuar se për gati katër vite në qeverisje, nuk ndërmorën asnjë veprim serioz për t’i ndihmuar institucionet e drejtësisë për zbardhjen e këtij rasti.

“Krejt çka bënë, është se në qeverisjen e tyre për tre herë radhazi u dogj Instituti i Mjekësisë Ligjore, vendi ku thuhej se ruheshin mostrat e të ndjerit Astrit Dehari. Deri sot asnjë përgjigje të vetme se kush ia vuri flakën Institutit të Mjekësisë Ligjore? Kush ishin shkaqet dhe shkaktarët? A u vu dikush para përgjegjësisë penale? A dha dikush dorëheqje nga pozitat politike dhe menaxheriale? Përgjigja është e qartë askush, sepse LVV qeverisë me vendin”, potencoi ai.

Deputeti i LDK-së ka potencuar se Qeveria aktuale për katër vite nuk bënë gjë për Astrit Deharin dhe gati se e harruan në tërësi, teksa ka shtuar se tash kur zgjedhjet po afrohen, LVV ndez makinerinë e saj “të turpshme”, për ta vu në funksion të plotë për qëllime elektorale dhe politike.

“Rasti Dehari meriton drejtësi, në radhë të parë për familjen e tij dhe popullin e Kosovës. Sa më larg qëndron LVV nga kjo çështje, aq më shumë do i bën nderë familjes dhe drejtësisë kosovare”.

Ndërsa anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në një konferencë për shtyp të mbajtur para Prokurorisë Speciale të hënën, ka akuzuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin kosovar, Kadri Veseli, duke pretenduar se të njëjtët kanë dhënë urdhër “për vrasjen” e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, në vitin 2016.

Kurteshi – pa asnjë provë – ka akuzuar institucionet kosovare, përfshirë policinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), duke thënë se ata kanë qenë të përfshirë në “inskenim” të rastit. Gjithashtu, ai ka akuzuar edhe prokurorinë për “zvarritje” të rastit, duke theksuar se pesë prokurorë që janë marrë me zbardhjen e rastit Dehari kanë qenë në prag të pensionimit.

Aktivisti i LVV-së ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai dyshohej për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, më 1 prill 2022, është thënë se analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveçse të vetë atij.