Komuna e Prishtinës “ia fal” 17 hektarë tokë Dukagjin Lipës për festivalin e Sunny Hill-it për 99 vite

Në Kuvendin Komunal në Prishtinë me 26 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime, është votuar propozimi i kryetarit të Prishtinës Përparim Rama për dhënien në shfrytëzim të parcelës së Komunës së Prishtinës me sipërfaqe prej 17 hektarësh, kompanisë “Sunny Hill”, në kohëzgjatje për 99 vite.

Muhamet Selmani nga PDK- ja ka thënë se “Sunny Hill”, s’duhet të ikë jashtë Prishtinës. “A e dini më së pari ku është kjo tokë. Meqenëse qenka problem 99 vite kryetar ta bëjmë ndarjen në dy pjesë. Nuk guxojmë që Suny Hill të na ik jashtë Prishtinës”, tha ai..

Kurse, Sami Borovci nga AKR- ja tha se “Nuk po dojm me ndal në asnjë formë këtë projekt kaq të madh. E di që është jetike që na si komunë me i ofru investitorit kushte dhe hapësirë. Ideja është që na duhemi që atë marrëveshje me struktur sa më mirë. Çka unë kisha kqyr me tërheq si pikë. Kam dy probleme. Sasinë e tokës 17 hektar është shumë dhe koha 99 vite është kogja shumë”. “Duhet me kompletu hala më shumë që herën e ardhshme me kalu unanimisht në seancën tjetër”.

Jeta Rafuna – Hasani  LDK-ja ka thënë se  “Ju e dini se qysh e kemi votu herën e kaluar. Veç se ka dal Dukagjin Lipa në skenë e kemi duartrokit dhe e kemi votu. Çka është gjeth ky diskutim? “.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se “Sunny Hill”, ka ofertë për të shkuar edh enë Tiranë, porse ideja është që të krijohet siguri për investime në Prishtinë.

“Nuk kam qef me dhanë tok fal kurrë kurrkujt. As ne nuk i kemi dhënë. Për mua për ne normal që na konveno me pas festivalin e tillë në Prishtinë. Ne po mundohemi për më të mirën për Prishtinën. Mbi termat e kësaj oferte ne do vazhdojmë me negocu sa më mirë për Prishtinën. Duhet me pas parasysh që kur dikush investo në një projekt duhet me pas siguri. Idea është që gjitha këto të hyra t’i kemi në kryeqytet. Duhet me shiku edhe investitori me pas sigurinë. Munden me shku se kanë ofertë prej Tiranës. Nuk na konveno kjo neve. Në rast se festivali nuk ndodh për 3 vjet me radhë ne kemi te drejtën me ja kthye tokën Prishtinës”.