Komuna e Prishtinës fillon bisedimet me FFK-në për zgjerimin e stadiumit “Fadil Vokrri”

Kanë nisur bisedimet mes Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për zgjerimin e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe shtimit të rreth shtatë mijë ulëse në disa prej tribunave të tij, ka konfirmuar kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Stadiumi “Fadil Vokrri”, pronë e Komunës së Prishtinës, është nikoqir i ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës dhe ka një kapacitet prej 13.500 ulëse, por shihet si tejet i ulët për kërkesat e kosovarëve për t’i parë ndeshjet e verdhekaltërve, prandaj ka kohë që kërkohet zgjerimi i tij.

Ashtu edhe do të ndodhë, siç konfirmon Ahmeti, i cili tregoi po ashtu se stadiumi në kryeqytet do t’i ketë 20 mijë ulëse në të ardhmen e afërt.

“Komuna e Prishtinës ka filluar diskutimet me Federatën e Futbollit të Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve në stadiumin Fadil Vokrri, në tribunat lindjes, veriut dhe jugut. Gjatë javëve në vijim do të bëjmë analizat e nevojshme për të vlerësuar mundësitë që të kemi deri në 20 mijë ulëse në stadiumin e qytetit”, shkroi Ahmeti në Facebook.

loading…