Komuna e Kllokotit mbyllet nesër, kryetari dhe zyrtarët shkojnë në Beograd për tubimin e Vuçiqit

Nesër, më 19 prill, në Beograd është paralajmëruar një tubim i madh i organizuar nga presidenti serb Aleksander Vuçiq dhe partia e tij SNS si kundërpërgjigje ndaj protestave të opozitës atje.

Ky tubim është edhe përmbyllje e fushatës njëmujore të Vuçiqit nëpër Serbi ku ka folur për idetë e “zgjidhjes së çështjes së Kosovës” dhe “përparimin ekonomik” të Serbisë.

Me moton “E ardhmja e Serbisë-Aleksandar Vuçiq”, Vuçiq në të gjitha tubimit e mbajtura deri më tash ka paralajmëruar se më 19 prill në Beograd “do të shfaqet Serbia e vërtetë, Serbia e fuqishme”, duke i ftuar për pjesëmarrje serbët jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Kroacia.

E një ftesë të tillë do të përfill edhe një kryetar i një komune të Kosovës.

Ballkani.info merr vesh se këtij tubimi do t’i bashkohen edhe serb nga Kosova, konkretisht ata të komunës së Kllokotit.


Bozhidar Dejanoviq

Burime të sigurta brenda komunës së Kllokotit kanë thënë për Ballkani.info se kryetari i Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq i ka obliguar të gjithë punëtorët e Komunës që të premten bashkë me të, të shkojnë në tubimin e Vuçiqit në Beograd.

“Ai i ka paralajmëruar punëtorët e komunës se nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë , do të largohemi të gjithë nga puna”, ka bërë të ditur një zyrtar në komunën e Kllokotit.

Në të njëjtën ditë nga qytetarët shqiptarët është paralajmëruar protestë para objektit të komunës së Kllokotit me moton “Diskriminim në baza Etnike, në përfaqësim institucional, në punësime dhe në investime”.

Për nesër, Vuçiqi dhe partia e tij, kanë paralajmëruar tubimin e gjysmë milioni serbë në sheshin kryesor të Beogradit. /Ballkani.info/