Më 17 tetor Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë kompania “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin milionësh.

Ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Komerciale.

Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i duhur që të ruhet interesi publik. Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.

“Gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk do t’i sillte dëm të paditurit apo ndonjë personi të interesuar, sepse përkundër shtyrjes se realizimit të projektit, shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vlerësimin e ligjshmërisë së procedurës së prokurimit do të jetë edhe në dobi të paditurit – kundër propozuesit, sepse do të evitohej çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga AK, që potencialisht do të ndikonte negatvisht në besimin e publikut ndaj AK”, thotë vendimi i Gjykatës.

Mirëpo, kompania “Sallahu” duket se nuk po e përfillë fare vendimin e Gjykatës, duke i vazhduar punimet në këtë rrugë. Ballkani.info ka qenë sot në vend-punishte ku ka hasur në punëtorët e kësaj kompanie duke punuar me ritëm të shtuar.

Në vendimin e Gjykatës Komerciale thuhet se punimet do të ndërpriten deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara në procesin e tenderit.

Kontratën e Rrugës A, që peshon 8.5 milionë euro e kishte fituar kompania nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“.

Pronari i kësaj kompanie zyrtarisht është Lulzim Sallahu, por mbrapa tij qëndron vëllau u tij, Naimi, që është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik. /Ballkani.info/