Komiteti Olimpik i Indisë i kërkon Ministrisë që menjëherë t’i jep vizë Donjeta Sadikut, ndryshe pasojnë sanksionet

Nga frika e pasojave serioze, Komiteti Olimpik i Indisë të mërkurën i ka kërkuar ministrisë së Sportit të Indisë që menjëherë të zgjidhë çështjen e vizës së boksieres kosovare, Donjeta Sadiku.

Në një letër të fuqishme drejtuar Ministrisë së Sportit presidenti i IOA-së, Narinder Batra thotë se mospjesëmarrja e Sadikut në Kampionatin Botëror të femrave, që nis nesër, mund të çojë në vendimin që Komiteti Ndërkombëtar Olimpik t’ia ndalojë organizimin e ngjarjeve të mëdha Indisë, transmeton Koha.net.

“Është e nevojshme që të ndërmerren sot veprime të menjëhershme nga autoritetet indiane për t’u siguruar që atletët dhe delegacioni nga Kosova do të jenë në gjendje të marrin pjesën në Kampionatin Botëror të Boksit për femra, dhe do të trajtohen në të njëjtat kushte si pjesëmarrësit e tjerë pa ndonjë diskriminim të panevojshëm në përputhje me vlerat dhe parimet që qeverisin Lëvizjen Olimpike në gjithë botën”, thuhet në letrën e Batras.

“E dështimi i mundshëm do të bënte që kjo situatë të raportohej në të gjitha organizatat ndërkombëtare të sportit të interesuara për veprimet e përshtatshme, që do ta vinte në pikëpyetje organizimin e ngjarjeve të tjera ndërkombëtare sportive në Indi derisa kjo çështje të jetë zgjidhur”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.

Shefi i IOA-së, i cili është gjithashtu kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit, thotë se mos dhënia e vizave për boksieren e vetme të Kosovës mund të çojë në kërkesën e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik që të mos i jep Indisë organizimin e ngjarjeve të mëdha.

Më tutje Batra i ka kujtuar Ministrisë se ka shumë shembuj në të cilën organizatori përkundër që nuk e ka njohur një shtet, ia ka lejuar pjesëmarrjen në ngjarjet sportive.

“Organizatat ndërkombëtare të sportit nuk mund të pranojnë një situatë kur një organizator në mënyrë të njëanshme ndalon pjesëmarrjen e atletëve të caktuar nga vende të tjera / territore për arsye politike. Përndryshe, kjo kërcënon parimet themelore të Lëvizjes Olimpike”, shkruan më tutje ai.