Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.

KE analizoi rrjedhën e garave në të gjitha rangjet dhe konstatoi se ato kanë një rrjedhë të mirë sipas një dinamike më të përshpejtuar për shkak të Kampionatit Botëror ‘Katari 2022’.

Kjo ka bërë që disa ndeshje janë shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së klubeve tona në garat evropiane. KE kërkon nga Komisionet dhe nga gjyqtarët që të jenë në nivel të detyrave. KE shqyrtoi dhe analizoi organizimin e garave kualifikuese për Euro 2023 për grup-moshën U17, duke konstatuar se FFK-ja pati një organizim të mirë, teksa Kombëtarja U-17 e Kosovës nuk tregoi rezultate të mira.

KE analizoi edhe shortin Kombëtares “A” për Evropianin 2024 me konstatimin se një short i tillë nuk është i lehtë por jo edhe i paarritshëm, ndaj Kosova e sheh si mundësi të mirë kualifikimin për Euro 2024. Duke parë që gjasat janë jashtëzakonisht reale dhe një momentum i artë për kualifikim, FFK-ja kërkon nga të gjithë një angazhim të madh dhe një mbështetje nga tifozët, populli i Kosovës, nga Diaspora e në veçanti nga mediat për një pasqyrim sa më të madh dhe më të mirë.

KE shqyrtoi edhe përgatitjet për ndeshjen e Superkupës së Diasporës ndërmjet Llapi dhe FC Kosova Cyrih, e të cilat konstatoi se po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë.

KE caktoi edhe ditën për shpalljen e Laureatëve për Vitin 2022 dhe mori vendim që më 22 dhjetor 2022 të shpallen më të mirët për vitin 2022.

KE shqyrtoi edhe Parashtresa dhe ankesat drejtuar këtij Organi.