Komisioni Qendror Zgjedhor në Serbi ka publikuar rezultatet pas numërimit të 96.68 për qind të votave, të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën.
Sipas rezultateve preeliminare, partia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeson me 46.71 për qind të votave. SNS-ja ka lënë prapa “Serbia kundër dhunës”, që pati 23.58 për qind të votave.
Mbledhja e Komisionit u mbajt në masa të rrepta të sigurisë, pas protestave të organizuara nga opozita. Në mbledhje morën pjesë 28 nga 35 anëtarët.
Janë numëruar 8273 qendra votimi deri në ora 20:00, apo 96.68 për qind.
Koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, mori 0.37 për qind.
Kamberi në platformën “X” ka falënderuar votuesit, ndërsa ka thënë se është konfirmuar mandati i tij.
“Falënderojë votuesit shqiptarë, Beteja politike e shqiptarëve për Luginën e Preshevës do të vazhdojë në Parlamentin e Serbisë, pas zgjedhjeve të djeshme. Ne do të vazhdojmë ta konfrontojmë Qeverinë në Beograd me diskriminimin kundër shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Kamberi.
VIDEO BONUS: Regjimenti shqiptar dhe Regjimenti i Këmbësorisë së FSK përfunduan stërvitjen







