Komentuesit e ‘gozhdojnë’ deputeten e VV-së pasi që citoi një serb ku thotë se UÇK-ja ishte kriminale

Një analist politik serb, krejtësisht anonim, ka komentuar zhvillimet politike të javës së kaluar Kosovë-Serbi, në një intervistë në emisionin e mëngjesit në televizionin publik serb RTS1.

Ai gjatë analizës së tij e ka vlerësuar lartë inteligjencën politike të Kurtit. Sipas tij, kryeministri kosovar, është një nga liderët e rinj më të kompletuar të diplomacisë botërore.

E pikërisht për këtë ai e ka vlerësuar si të rrezikshëm Kurtin, pasi që ai nuk do t’i shkojë për shtati Serbisë.

Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas këtyre deklaratave. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputete e VV-së, në një postim në Facebook, ka thënë se të kërcënuar duhet të ndihen vetëm ata që flasin dhe sundojnë me veprimet dhe gjuhën e urrejtjes.

Megjithatë, ajo në një paragraf të këtij postimi e përmend një fjalë që lë të kuptohet sikur UÇK-ja ka qenë organizatë kriminale. “…nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”, ka shkruar ajo, duke e cituar analistin serb, i cili i referohet kështu UÇK-së, raporton Ballkani.info.

E duket se deputetja e VV-së, duke dashur ta mbroje shefin e saj, i ka bërë një dëm të madh edhe vetës edhe UÇK-së.

Për këtë ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj.  Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo. Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së””, ka shkruar Thaçi.

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova”, ka shkruar tutje presidenti.

Sipas tij, UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet.

Përveç këtij reagimi, deputetja Fatmir Mulhaxha Kollçku, ka marrë edhe shumë mesazhe të këqija në llogarinë e saj në Facebook. Shumë komentues e kanë fye dhe sharë, duke i kërkuar edhe llogari për këtë postim.

Postimi i plotë i zonjës Kollçaku:

Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së. Ndërkombëtarët nuk kanë fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tij është i shpejtë sikur kompjuteri, intelegjenca e tij e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data.

Shumë i rëndë për dialogim, guximtar dhe i pakompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më të kompletuar të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjendet dhe dëgjon përballë tij në tavolinë”, ka thënë analisti politik nga Beogradi.