Komentuesit e bëjnë horë LVV-në për shpenzimet e derivateve: Veç pasi ju dolën të zezat po hiqni dorë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot e ka proceduar kërkesë zyrtare për Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore.

Një kërkesë e tillë është bërë pasi që janë publikuar shpenzimet e deputetëve për udhëtime dhe kompensime të larta nga Kuvendi. Në mesin e shpenzuesve më të mëdhenj janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes, ku disa prej tyre janë zënë edhe duke mashtruar pasi që të njëjtit nuk kanë deklaruar të kenë fare vetura dhe se jetojnë në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.

Kërkesën për të rishikuar lartësinë e kompensimit VV-ja e ka publikuar në Facebook, mirëpo shumica e komentuesve janë shprehur të pakënaqur për siç kanë thënë, fshehjen e këtyre kompensimeve dhe vetëm pasi u bën publike ata po heqin dorë.

“Po të ishte kjo kërkesë e sinqertë, do të duhej të shkruhej qartë se Grupi Parlamentar i Lëvizjes VV nuk ka hequr dorë nga këto kompensime vullnetarisht, por këtë e ka bërë nga presioni qytetar. Ata që vërtet e respektojnë dhe e kursejnë paranë publike nuk kanë pritë deri sot. Mësoni nga shembujt e mirë në mesin tuaj”, shkruan një komentues. /Demokracia.com/