Komentatori i Televizionit Publik të Kosovës ka habitur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejt të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Skocisë, duke e quajtur më shumë se mediokër trajnerin e ekipit kombëtar shqiptar, Christian Panuccin.
Siç duket për komentatorin RTK-së, Arben Berishën, turpërimi që Skocia po ia shkaktonte Shqipërisë të shtunën në një ndeshje të Ligës së Kombeve në Shkodër, ishte i tepërt për ta ruajtur qetësinë dhe profesionalizmin në punë, pasi Berisha ka shpërthyer në kritika ndaj Panuccit, raporton Express.
Berisha ka shkuar me tej se thjesht ta bëjë detyrën e vet – ta përshkruajë ndeshjen ashtu siç rrjedh – duke shprehur mendime personale për trajnerin Panucci.
Puna e një komentatori të sportit gjatë një transmetimi të drejtpërdrejt është ta konfirmojë që është e qartë dhe dukshme në fushë, por jo të jetë i njëanshëm apo kritikues dhe ofendues.
“Panucci është një lojtar i madh por trajner mediokër. Madje më shumë se mediokër. Këtë ai e ka dëshmuar edhe me deklaratat e tij në konferencë ku i ka quajtur lojtarët e tij memecë për moskomunikim në fushë. Nuk ke se si ta quash ndryshe një trajner që ofendon kështu lojtarët e tij. Pra, lojtar i madh – trajner mediokër, ky është Panucci”, tha Berisha gjatë komentimit të drejtpërdrejt të ndeshjes.
Shqipëria u mposht 4-0 nga Skocia dhe e mbyll si e fundit Grupin 1 të Ligës C në Ligën e Kombeve, dhe si pasojë rrezikon të bjerë në Ligën D. /







