Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki, njëherit përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, këto ditë bëri bujë në media kur njoftoi se nuk u ftua për festën e Pavarësisë së Kosovës nga ambasada e vendit në Paris. Për krejt këtë, ai tha se ka një arsye dhe se do ta tregojë në një ditë tjetër. 

Kraki përmes një shkrimi në Facebook, ditë më parë tha se është merakosur, pasi që nuk u ftua në organizimin për 14 vjetorin e pavarësisë, përcjell Demokracia.com.

Siç duket, arsye për këtë del të jetë refuzimi që ai i bëri Qeverisë Kurti që të emërohet ambasador në Paris. Të paktën, kështu po pretendon vet ai në një koment të bërë së fundi.

“Realisht ma kanë ofruar postin por e kam refuzu, sepse ka qenë e pamundur me u “ambasadarizu” për 3-4 javë, sepse unë nuk jam i lirë dhe kam angazhime nga të cilat nuk mund të zhukem brenda ditës as brenda muajit”, ka thënë vet Kraki në një koment në rrjetin social Facebook, përcjell Demokracia.com.

Ai tutje ka shtuar se “kombinacioni militantiso-partizan” prodhon “lloj-lloj vakie”.

Sipas këtij komenti, arsyeja pse ai nuk u ftua del të jetë refuzimi që të bëhet ambasador./Demokracia.com/