Komandanti rus që pushtoi Aeroportin e Prishtinës rrëfen historinë e planit të fshehtë për të hyrë në Kosovë (VIDEO)

Në natën e 12 qershorit të vitit 1999, një batalion i parashutistëve rusë që ishin në Republikën Serbe të Bosnjës, nisen befasisht drejt Kosovës, duke e marrë kontrollin ndaj Aeroportit të Prishtinës në Sllatinë.

Për trupat e NATO-s që planifikonin ta përdornin Aeroportin e Prishtinës, hyrja fshehtas e forcave ruse ishte befasi e madhe.

SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia nuk kishin planifikuar ta lejojnë praninë ruse në Kosovë.

Një hyrje e tillë e rusëve në Kosovë gati sa nuk pati nxitur edhe konflikt të armatosur ndërmjet forcave britanike dhe ushtarëve rusë. Kjo ishte evituar në momentin e fundit, pasi që komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, Mike Jackson, ishte i gatshëm të jepte urdhër që rusët të sulmoheshin ushtarakisht, shkruan Ballkani.info.

Në një moment Jackson kishte thënë se sulmi ndaj forcave ruse do të thoshte nisje Luftës së Tretë Botërore.

Komandanti i forcave ruse që patën hyrë në Kosovë, Georgij Shpak, ka folur për mediat ruse se si ka shkuar plani për ta pushtuar Aeroportin e Prishtinës.

“Në fillim të majit të vitit 1999, shefi i Shtabilit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, gjenerali Anatolij Kvashnin me ftoi në zyre dhe tha: “Urgjent!”. Në zyrën e tij, ai me urdhëroi që menjëherë të udhëtoj në qytetin e Bosnjës Ugljevik, ku ishte shtabi i brigadës së forcave ajrore dhe të përgatis gjithçka për marrjen e aeroportit strategjik në Kosovë, që është pista e vetme atje e gjatë 2500 metra, e cila mund të pranojë çfarëdo aeroplani, përfshirë edhe bombarduesit dhe transporterët tjerë të rëndë ushtarak. Kush e kontrollon Sllatinën, e kontrollon tërë Kosovën. Kvashnin ka thënë se koha e marrjes së aeroportit nuk është e definuar, kështu që luftetarët e mij do të veprojnë sipas komandës së tij”, ka thënë ai.

Ai shton: “Përgatitjet për kryerjen e detyrave janë bërë në fshetësi të plotë”.

Siç thekson Shpak, Kvashnin nuk ishte iniciator i vetë aksionit.

“Komandanti suprem e dinte për këtë, dhe atëherë president ka qenë Boris Jelcin. Pastaj, “miqtë e mundshëm” në Perëndim po na shtynin në të gjitha drejtimet dhe ata praktikisht pushuan të mbështeteshin në Rusinë në çështjet ndërkombëtare. Në këtë kuptim, në të gjitha mënyrat e mundshme, ne ishim larguar nga vendi i nxehtë i botës në atë kohë – ish-Jugosllavia. Amerikanët, britanikët, francezët, gjermanët dhe italianët vendosën të përjashtojnë pjesëmarrjen e Rusisë në një operacion paqeruajtës në Kosovë. Sigurisht nën përcjelljen e presidentit Jelcin kishte njerëz që e këshillonin që të godiste dhe t’iu rikujtonte që ruset edhe më tej kanë barut në tytat e tyre”, ka thënë më pas Shpak, transmeton Ballkani.info.

Ai ka sqaruar se si janë përgatitur për hyrje në Kosovë.

“Parashutistët rusë nuk duhet të jetë të përgatitur për luftë – ata gjithmonë janë të përgatitur për atë. Të gjithë ishin të përgatitur, vetëm duhej ndarja e detyrave dhe zbatimi logjistik i aksionit. Me të arritur në Ugljevik, kam filluar aktivisht që të bashkëpunoj me kolonelin Nikolaj Ignjatov, komandantin e brigadës. Kemi folur për të gjitha mundësitë e kryerjes së detyrave”.

Ai ka shtuar se nuk janë trembur nga përgjimet.

“Nuk jemi frikësuar, e dinim që të gjitha biseda inçizohen. Në ndërtesën e ndarë në terrotorin e logorit të brigadës sonë ka qenë një pjesë e ushtrisë amerikane. Funksioni i tyre zyrtar ka qenë komunikimi dhe koordinimi me komandën ruse, por realisht, ajo ishte spiunim”, ka thënë ish komandanti i forcave ruse që kishin hyrë në Kosovë.

Ai më pas ka sqaruar edhe pse i kishin njoftuar serbët për aksion.

“Njësitë e parashutistëve është dashur që shumicën e rrugës për në Kosovë ta kalonin me marsh, kështu që ka qenë e pamundur që të veprohet pa koordinim. Duhet thënë se vëllezërit tonë serbë e kanë organizuar korridorin e gjelbër në territorin e tyre për kolonën tonë. Gjithashtu, veturat e tyre të policisë ushtarake e kanë pastruar rrugën në mënyrë që automjetet tona të rënda të kalonin pa probleme”.

Sipas tij, nuk ka pasur plan B nëse fillon përplasja e armatosur me trupat e NATO-s.

“Plani B nuk ka ekzistuar. Parashutistët tanë kanë shkuar në Prishtinë që të fitojnë ose të vdesin. Por komandata ushtarake ruse dhe unë, kemi pasur besim të fuqishëm – që amerikanët britanikët, francezët, gjermanët mund të jenë ushtarë të mirë, por ata nuk e kanë kualitetin luftarak si ne. Plus, operacioni paqësor ka qenë ndërkombëtar, kështu që gjeneralët e NATO-s do ta humbisnin shumë kohë për koordinimin e aksionit”, ka thënë ai.

Trupat ruse më pas hynë nën komandën e KFOR-it dhe qëndruan në Kosovë deri në vitin 2003. /Ballkani.info/

Shihni videon se sa e tensionuar ishte situata ndërmjet forcave britanike dhe atyre ruse: