Komandanti i KFOR-it: Të gatshëm të intervenojmë nëse ka tensione pas aktakuzave nga Specialja

Komandanti i ri i KFOR-it, Franco Federici në konferencë online me disa gazetarë ka folur për gjendjen pas aktakuzave të Gjykatës Speciale.

I pyetur nga Koha nëse ka indikacione për tensione e protesta pas ngritjes së aktakuzave, ai ka thënë se aktualisht situata është e qetë. Por ka shtuar se janë të gatshëm për intervenim nëse cenohet situata e sigurisë.

“Nuk kemi asnjë indikacion që tregon se situata do të ndryshojë. Jemi të bindur që secili do të sillet në mënyrë të moderuar. Më lejoni të theksoj se KFOR-i nuk është i përfshirë në Gjykatën Speciale. Kjo është temë tërësisht jashtë mandatit tonë. KFOR nuk bënë hetim. Megjithëkëtë ne e përcjellim situatën dhe jemi të vëmendshëm. Ne jemi të gatshëm të intervenojmë nëse ka tensione e protesta pas ngritjes së aktakuzave…”, ka thënë ai.

Lidhur me dialogu me Serbinë ai ka thënë se KFOR-i nuk merret me politikë.

“Sikurse ka thënë sekretari gjeneral, NATO mbështet dialogun. Por me siguri KFOR mirëpret çdo hap përpara. Ne mirëpresim çdo hap që forcon bashkëjetesën mes komuniteteve dhe do ta luajmë rolin tonë si ndihmues në këtë drejtim.

I pyetur se a përbën rrezik për rajonin armatimi i Serbisë, ai ka thënë se kjo temë nuk është në mandatin e KFOR-it.

“Mandati jonë në bazë të rezolutës 1244, Serbia partner i NATO-s, ka bashkëpunim. Kjo çështje nuk ka asnjë ndikim në aktivitetet dhe mandatim e KFOR-it”, ka thënë ai.