Komandanti i forcave amerikane në Kosovë, Kolonel Roy Macaraeg, ka deklaruar në bazën Bondsteel afër Ferizajt se ushtarët nën komandën e tij “do duhej të zgjidhnin situatën”, në rast së Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e shkelë mandantin e saj.

“Varet nga rrethanat. Në rast se aktiviteti i FSK-së cenon mandantin, atëherë neve na mbetet që ta zgjidhim atë situatë. Në rast se rrethanat kërkojnë angazhim në nivel të lartë, do t’i drejtohemi komandantit të KFOR-it. Dua të them se mandati ynë nuk ka ndryshuar. Me misionin tonë ne ofrojmë ambient të sigurtë dhe stabil jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Për neve është e rëndësishme që të dyja palet të vazhdojnë dialogun politik në gjetjen e zgjidhjes politike”, ka thënë Macareg në intervistë për Rrjetin Ballkanik të Sigurisë (https://balkansecurity.org/latest-analysis).

Në pyetjen se cili është raporti i forcave amerikane në Kosovë ndaj FSK-së, Macaraeg ka thënë se vendimi i Prishtinës për të transformuar këtë formacion në forca të armatosura nuk e ka ndryshuar mandatin e forcave amerikane, transmeton Ballkani.info.

“Në dhjetor Prishtina ka vendosur që ta tranformojë FSK-në në forca të armatosura. Disa kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë. Vendimi i Prishtinës nuk e ka ndryshuar mandatin tonë, ai ka mbet i njëjti. Ne bashkëpunojmë me forcat kosovare të sigurisë në aspektet joluftarake siç është rasti në deminim dhe sanitari. Natyrisht, për neve detyrat tona janë në plan të parë. Nuk merremi me stërvitjen e as armatosjen e FSK-së. Kjo çështje i takon Ekipit për Këshillime dhe lidhje të NATO-s (Nato Advisory Liasion Team)”, ka thënë ai.

Sipas tij, raportet e tyre me FSK-në janë minimal. “Ne ata nuk i stërvisim për luftime dhe prioritet i kemi detyrat tona”, ka shtuar ai.

“Këtu në Bondsteel i kemi 800 ushtarë nga SHBA, Turqia, Polonia dhe Rumania. Disponojmë me helikopterë dhe kemi pajisje të mjaftueshme mjekësore për kujdes ndaj ushtarëve. I kemi edhe deminuesit që punojnë në tërë Kosovën. Nuk kemi tanke dhe armatime tjera të rënda, sepse ato nuk janë të nevojshme. Forcat e mija numërojnë 800 ushtarë dhe janë të gatshëm për gjithçka. Janë të stërvitur për të gjitha detyrat, përfshirë edhe kontrollin e dhunës”, ka thënë Macaraeg. /Ballkani.info/