Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, e ka quajtur komunikim normal letrën e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, i cili alarmoi se punët në FSK mund të ndërprehen.
Megjithatë, Dugolli këtë e quajti komunikim normal, raporton Nacionale.
“Po i referoheni një komunikimi normal zyrtar që ndodh në FSK, me ministrinë e Mbrojtjes. Ka pasur, do të ketë. Një gjë është e sigurt, sot jemi me datë 14 tetor asgjë e jashtëzakonshme nuk po ndodh, ushtarët po ushqehen, kanë ushqim edhe do të kenë edhe më të begatë edhe më të mirë. Ministria ka shpallur konkurs për 100 kuzhinierë e staf që do të përgatisin e servojnë ushqimin me bollëk për ushtarët, të cilët e meritojnë edhe mbështetjen”, tha Dugolli.
“Ka përfunduar çështja e tenderëve, do të vazhdojmë me konceptin e vetqëndrueshmërisë, dhe është i vetmi koncept, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj tenderi. Edhe më i lirë, edhe më i mirë, edhe më i sigurt”, tha ai.







