Kololli: Napoli i kompletuar, por do tentojmë t’i shkaktojmë telashe

Të enjten në mbrëmje, Zurichu i shqiptarëve në krye me Benjamin Kolollin, do të luajë në shtëpi kundër Napolit, në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës, në rundin e 32 skuadrave më të mira.

E, ekip shumë të fortë e me cilësi të larta e ka cilësuar Napolin, mbrojtësi i majtë i Kosovës, Kololli, transmeton KTV.

“Napoli është ekip shumë i fortë, veçanërisht nga këndvështrimi i cilësisë. Ka shumë lojtarë të shpejtë e teknikisht shumë të mirë, si Insigne e Callejon. Në mbrojtje e kanë edhe Koulibalyn, i cili është shumë i mirë. Është shumë e qartë se Napoli është një nga rivalët më të vështirë që do të mund të kishim përballë, por do të bëjmë gjithçka për t’i vënë ata në vështirësi. Në stadiumin tonë duam të tregojmë guxim dhe të luajmë me mençuri”, ka deklaruar Kololli për “Calciomercato.it”.

Napoli është në Ligën e Evropës pasi në fazën e grupeve në “Champions” doli i treti pas Liverpoolit e Paris Saint-Germainit.

Zurich-Napoli luhet të enjten në ora 21:00.