Kodra strategjike e Cërnushës në Mitrovicë që iu dha FSK-së, ishte përdorur edhe nga UÇK-ja

Kuvendi Komunal i Mitrovicës sot ka marrë vendim që një prej kodrave më të larta në Mitrovicë, ‘Kodra e Cërrnushës’, e cila ka pamje mbi 4 komuna dhe dhjetëra fshatra në këtë rajon do t’i  jepet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). 

“Kodra e Cërrnushës është pikë strategjike jo vetëm e Mitrovicës por e tërë Kosovës do t’I jepet për shfrytëzim FSK-së për 99 vjet”, deklaroi për RTV Dukagjinin nënkryetari i Mitrovicës Faruk Mujka.

Kodrën pikë strategjike po e konsideron edhe ushtaraku Kadri Kastrati.

Ish-komandanti i FSK-së thotë se ushtrisë duhet t’i jepen në shfrytëzim edhe pika tjera strategjike.

“Kjo strategji do të duhet të ndiqej qysh moti nga Qeveria e Kosovës. Ushtria do të duhej të kishte edhe poligone të tjera për t’u trajnuar”, deklaroi Kastrati.

Kjo zonë gjatë luftës së vitit 1999 ishte përdorur edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Një gjë të tillë e pohon edhe ish-komandati i Bataljonit të Parë në Brigatën 143 në Zonën Operative të Shalës, Hajzer Istrefi.

“Kjo pikë strategjike është shfrytëzuar nga njësitet tona për vrojtim dhe përcjellje të forcave serbe”.

Kjo kodër që gjendet ne Mitrovicë ka një lartësi mbidetare pre 1,116 metra e që edhe në të kaluarën është shfrytëzuar nga FSK për stërvitje.