Milazim Koci

Koci: Serbia po bën lojë, duan ta mbajnë veriun të tensionuar e ta akuzojnë Kosovën

Serbia po përdor një lojë duke mbajtur veriun të tensionuar për ta penguar përparimin e Kosovës në drejtim të integrimit në Këshillin e Evropës, kështu ka thënë politologu Milazim Koci.

Në emisionin FIVE, Koci ka vlerësuar se Lista Serbe mund të sigurojë votat nëse merr pjesë në referendum për shkarkimin e kryetarëve shqiptar të komunave në veri, por ata nuk dëshirojnë stabilizimin e situatës për arsye politike.

“Këta kryetarë do të mbetën gjithsesi nëse serbët nuk dalin në referendum dhe pastaj në zgjedhje. Ne bindjen time atje kemi të bëjmë me një lojë të Serbisë, Vuçiqit, unë mendoj që nuk është e vërtetë që Lista Serbe nuk ka mundësi të sigurojë 50 plus një të votave, ata i kanë ato vota por nuk duan për një arsye tjetër, dëshirojnë ta mbajnë veriun të tensionuar, ta akuzojnë Kosovën për situatën në veri pa të drejtë pra, në mënyrë që ta pengojnë këtë rrugëtim të Kosovës qoftë në KiE, qoftë në organizatat tjera ndërkombëtare, do të thotë është një manovrim i Serbisë. Ata i kanë ato vota atje pa asnjë problem por nuk e duan stabilizimin e gjendjes në veri, duan që përmes veriut ta akuzojnë Kosovën”, ka deklaruar Koci.

Sipas Kocit, Serbia insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, dhe duke e bllokuar këtë proces, ata përpiqen të akuzojnë Kosovën për çdo tension në veri.

Koci ka vlerësuar se kjo është një strategji e Serbisë për të ndaluar përparimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat ndërkombëtare të tjera.

VIDEO BONUS: