Kobe Bryant ka një marrëdhënie të mirë me disa nga yjet e Barcelonës.
Megjithëse ekipi i tij i fëmijërisë, për të cilin ka bërë tifo, është Milani, ai ka treguar simpati për klubin katalanas.
Ylli i mëparshëm i Lakers e ndjek situatën aktuale të Barcelonës dhe, pasi u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, sheh Messin dhe të tijtë si favoritë për të fituar tripletën sezonale.
“Do të jetë shumë e vështirë, por e mundur. Verën e kaluar fola me Pique dhe kemi debatuar pak për kohën e pushimit, që kanë futbollistët. Basketbollistët kanë më shumë kohë për të pushuar në verë, ndërsa në futboll ke një javë, ose dy. Për të mbajtur këtë nivel çdo vit është shumë e vështirë, por nga mënyra se si luan Barça, mendoj se tripleta është një mundësi reale këtë sezon”.
Kobe Bryant ka treguar edhe se si mësoi për ekzistencën e Messit. Në një takim me Ronaldinhon, braziliani ia paraqiti argjentinasin si lojtarin më të mirë në botë. Prej asaj kohe, Kobe thotë se e ka ndjekur rregullisht ecurinë e Messit me Barçën.







