Gerald Knaus

Knaus paralajmëron sulme të mundshme të Serbisë në Kosovë

Kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, ka paralajmëruar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës, pas dështimit të negociatave në Bruksel më 26 tetor.

Në një intervistë për mediumin gjerman, RND, sociologu Knaus, ka dhënë një konstatim të tillë duke u bazuar në mediat serbe, të cilët, sipas tij, “me vite të tëra po flasin për luftën e ardhshëm në Ballkan” dhe po propagandojnë se ka një “terror në Kosovën kundër minoritetit serb”, duke “krijuar” një pretekst për ndërhyrje.

“Nuk ka absolutisht asnjë terror në Kosovë kundër pakicës serbe”, thotë ai.

Duke komentuar sulmin terrorist të 24 shtatorit, Knaus, potencon se “fare lehtë atë ditë situata mund të ishte përshkallëzuar shumë më shumë”.

Ndërsa thekson se arsyeja e një sulmi të tillë lidhet kryekëput me faktin se premtimi i Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor po zbehet.

E duke e ditur një fakt të tillë, beson Knaus, Vuçiq ka nisur të luajë me kartën e nacionalizmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Kurti, ka insistuar në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, porse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme.

Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre.

Ndërsa Vuçiq potencoi në një konferencë për media se e ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas propozim-statutit që i është propozuar nga emisarët ndërkombëtarë më 21 tetor në Beograd.

Ai theksoi se Serbia është pro zbatimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por ka shtuar se shteti i tij nuk mund ta njoh Kosovën si vend të pavarur dhe as nuk do ta pranojë anëtarësimin e saj në OKB.

Në anën tjetër shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.