Gjykata Speciale

KMDLNj: Ministria e Drejtësisë pa qëndrim korrekt ndaj pengjeve që po mban Specialja

KMDLNj, ka dalë me një reagim ndaj Gjykatës Speciale, të cilën e quan ”dhunuese të të drejtave të njeriut, të personave të privuar nga liria”, derisa akuzon edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, për mostransparencë.

Sipas KMDLNj-së, Gjykata Speciale ata po i mban në Hagë si pengje, dhe kjo ministri nuk ka aspak qëndrim korrekt ndaj atyre që po mbahen në Hagë derisa shton që ajo gjatë vizitave edhe ka bërë dallime në baza partiake.

”Dhunuesja e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria që po mbahen si pengje në GJSR në Hagë (të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë), Ekaterina Trandafilova ishte në një vizitë në Kosovë, siç deklaron ajo: “për ta informuar publikun dhe shoqërinë civile për punën e kësaj Gjykate …”. Pati takime publike dhe të fshehta, për të parat u deklarua publikisht, për të dytat as që ishte në dijeni publiku”.

”Në një reagim të mëhershëm KMDLNj njoftoi opinionin se kjo inkuizitore e të drejtave të njeriut pati një vizitë ilegale në Ministri të Drejtësisë, pa e specifikuar se me kend u takua. Realisht, as për KMDLNj–në nuk është me rëndësi se me kend u takua e as për opinionin por është me rëndësi se kjo Ministri fare nuk informoi publikun për këtë takim e as për çka u bisedua. Pastaj, pas vizitës ishte një dënim drakonik ndaj Salih Mustafës dhe një lirim i vonshëm i Nasim Haradinjat në ndërkohë që Hysni Gucati ishte liruar muaj më parë ndonëse dënimi ishte i njëjtë si dhe vepra (e kurdisur) për të cilën ishin dënuar, gjithashtu me dënime maksimale”.

”Tash, ministrja e kësaj ministrie deklaron se ajo nuk ishte takuar me kryetaren e Gjykatës Raciste Speciale por zëvendësi i saj, pa e treguar emrin. Mungesa e transparencës për këtë takim si dhe llogaridhënies nxitë shumë dyshime aq më parë që dihet publikisht se kjo ministri nuk ka aspak qëndrim korrekt ndaj pengjeve që po mbahen në Hagë sikur që edhe gjatë vizitave ka bërë dallime në baza partiake. Për shkelje drastike të të drejtave të njeriut ndaj pengjeve të Hagës nga kjo Gjykatë dhe nga kjo kryetare asnjëherë nuk ka treguar gatishmëri dhe vullnet të kërkojë sqarime, së paku në Kuvendin e Kosovës, me arsyetim se nuk dëshiron të ndërhyjë në drejtësi (në situata normale kjo është në rregull) ndërsa, në anën tjetër nuk ka lënë pa komentuar dhe pa ndërhyrë në vendimet e gjykatave të Kosovës sidomos në baza partiake apo edhe për qëllime politike. Kjo ndërhyrje flagrante është theksuar sidomos në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku, edhe sot shtrirja e ndikimit politik është përtej çdo shqetësimi”.

”Këmbëngulja për respektim të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, aktualisht pengje, nuk paraqet asnjë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë apo në vendimmarrje për është detyrim i institucioneve të Kosovës aq më parë që botërisht thuhet se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe MD këtë e thekson shpesh. Pastaj, procedura e lirimit me kusht nuk mund të bëhet siç është bërë në rastin Gucati dhe Haradinaj, kriteret janë të përcaktuara dhe nuk mund të shpikë asnjë Gjykatë kushte kufizuese siç është ndalimi i deklarimit publik deri në kohën kur përfundon kushti. Nëse deklarimi publik ka elemente të natyrës penale është çështje tjetër, atëherë kushti menjëherë zëvendësohet me burg efektiv”.

”MD dhe institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë nga GJRS sqarime se si ndodhi që dokumentet e ndjeshme rrodhën nga kjo gjykatë, pse nuk u bënë hetimet pas së cilave do të caktohej përgjegjësia e të gjithë akterëve e jo që kjo rrjedhje e simuluar të keqpërdoret për arrestim dhe dënim të shtetasve të Kosovës aq më parë që GJRS kishte dhe ka përgjegjësi për ruajtjen e këtyre dokumenteve të ndjeshme e jo ai që, në një mënyrë apo tjetër furnizohet me këto materiale”.

”KMDLNj e ka të qartë se rrjedhja e dokumenteve të ndjeshme nga kjo GJRS është e qëllimshme dhe ka shërbyer për arrestim të kundërligjshëm të presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe Shefit të GP të LVV –së, Rexhep Selimi. Institucionet e Kosovës kanë heshtur dhe janë treguar shumë oportuniste siç po heshtin sot dhe vazhdojnë të jenë oportuniste. A është ky vetëm një lëshim apo qëllim do ta dëshmojë koha ndonëse për KMDLNjnë nuk ka shumë mëdyshje!”.