KMDLNJ: Forcimi i drejtësisë në Kosovë, metoda më efikase për të trajtuar krimet e Serbisë

Përmes një analize për “Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Kosovë – mundësitë dhe pengesat”, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka thënë se forcimi i gjykatave vendore dhe mekanizmave përcjellës do të ishte metoda më efikase për të trajtuar krimet e luftës të Serbisë në Kosovë.

Si bazë për analizë, KMDLNJ-ja ka konsideruar opsionet e Tribunalit Ndërkombëtar, gjykatat hibride dhe forcimin e gjykatave vendore dhe mekanizmave përcjellës për të cilin ka thënë se mendon që do të ishte më efikasi.

Sipas KMDLNJ-së, ky do të ishte më efikasi pasi “nuk do të kufizohej në afate dhe do të mbështetej në resurse financiare vetanake”.

“Pasi që kemi të bëjmë me vepra penale që nuk vjetërsohen, nuk parashkruhen dhe nuk mund të falen, Gjykatat vendore do të ishin mekanizmi i duhur strategjik për realizim të drejtësisë së mohuar për shumicën e viktimave në Kosovë. Me kapacitetet aktuale që i ka në dispozicion Prokuroria për Krime Lufte në Kosovë dhe me gjykatës që janë tani, Kosova, as për 3 shekuj (300 vite) nuk do të jetë në gjendje të përfundojë rastet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Eventualisht, këto gjykata të ridizajnuara në Kosovë do të angazhonin ish-prokurorë dhe ish-gjykatës ndërkombëtarë që kanë përvojë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në cilësinë e këshilltarëve dhe jo në cilësinë e anëtarëve të trupave gjykues apo prokurorë. Ridizajnimi i këtyre mekanizmave vendorë nuk merr shumë kohë, nuk është i kushtueshëm sepse ata edhe ashtu marrin rrogë nga Buxheti i Kosovës dhe vetëm duhet një seri e trajnimeve shtesë për ata që nuk e kanë përvojën e duhur në këtë lëmi. Për fillim, ky mekanizëm vendorë i drejtësisë do të kishte 20-25 prokurorë të specializuar për krime lufte dhe 40-50 gjykatës. Do të duhej të përfillej kriteri etnik dhe gjinor i këtij mekanizmi të drejtësisë”, thuhet në analizën e KMDLNJ-së që thotë se do të duhej të themelohej një komision që do të verifikonte të dhënat e grumbulluara deri tash. “Në këtë Komision do të angazhoheshin ekspertë të profileve të ndryshme, studentë vullnetarë të profileve të duhura ndërkaq do të mbikëqyrej nga një trup, ta themi prej 5 anëtarëve e që kanë përvojë të gjatë dhe ekspertizë të dëshmuar në trajtimin e këtyre rasteve”.

“Ringjallja” e Institutit për Hulumtim të Krimeve të Luftës, në çfarëdo forme, për KMDLNj paraqet “humbje kohe dhe riciklim të një pune që nuk është bërë si duhet”.

KMDLNJ-ja ka vlerësuar se gjykatat hibride s’do të ishin ideale, por në kontekstin aktual i sheh si zgjidhje të mirë se themelimi i një Tribunali Ndërkombëtar. Sipas raportit një tribunal i tillë do të kishte të vështirë të merrte përkrahje ndërkombëtare dhe do të ishte edhe i papranueshëm në aspektin e të drejtave të njeriut sepse ndan viktimat dhe të dyshuarit në baza etnike. Shpenzimet për një tribunal të tillë, sipas KMDLNJ-së do të ishin enorme.

KMDLNJ ka propozuar se nëse deputetët mund të veprojnë edhe për zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Speciale për t’i dhënë mundësinë e trajtimit të krimeve në Kosovë nga Serbia. KMDLNJ-ja ka thënë se në Kosovë duhet të formohet vetëm një komision qeveritar i centralizuar ku përgjegjësia i takon Ministrisë së Drejtësisë.