Klubet e basketbollit po e mbyllin kampionatin pa e gjetur stabilitetin

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro deri në fund të pjesës së rregullt të garave në Superligë të Kosovës në basketboll, klubet vazhdojnë të bëjnë ndryshime.

Të martën ishin dy skuadra pretenduese që njoftuan për ndryshime, Golden Eagle Ylli dhe Trepça. Përderisa Ylli këtë ndryshim e bëri në postin e trajnerit, Trepça njoftoi për largimin e plejmejkerit Ivan Koljeviq që ishte koshashënuesi më i mirë i skuadrës.

Ylli i Suharekës trajnerin turk Fatih Gezer e zëvendësoi me boshnjakun Adis Beqiragiq, kurse skuadra e Trepçës nuk do të mund të zëvendësojë Koljeviqin për shkak se afati i transferimeve është mbyllur më 5 mars.

Beqiragiq është trajneri i tretë këtë edicion te Golden Eagle Ylli, të cilin e nisi me Dragan Radoviqin. Ndërkohë skuadra nga Mitrovica i ka tre të huaj në radhët e veta, aq sa lejohet t’i ketë edhe në parket: kroatin Dino Butorac, grekun Stavros Toutzaiarkis dhe amerikanin Dillon Smith.

Trepça nga Mitrovica ka lëshuar një komunikatë në të cilën sqaron situatën e plejmejkerit nga Mali i Zi, Ivan Koljeviq. Koljeviq më herët bëri një postim në të cilin shkroi se po largohet nga Trepça për shkaqe familjare, gjë që është mohuar nga klubi mitrovicas.

Në komunikatë thuhet se klubi ia ka shkëputur kontratën Koljeviqit për shkak të sjelljeve të pahijshme që ka pasur para, gjatë dhe pas ndeshjes me Vëllaznimin. Madje thuhet se Koljeviq ka fyer trajnerin, kryesinë dhe bashkëlojtarët, kurse kjo nuk ishte hera e parë që është sjellë në këtë mënyrë në raport me klubin.

“Të vetëdijshëm se rezultati i ndeshjes me Vëllaznimin ishte dëshpërues për tifozët tanë të shumtë e të zjarrtë, mund të garantojmë të gjithë që po angazhohemi për ta mbajtur klubin dhe skuadrën në nivelin më të lartë. Si pjesë e këtij synimi, kryesia e klubit ka analizuar gjendjen në skuadër dhe sjelljet e angazhimin e aktorëve para, gjatë dhe pas ndeshjes me Vëllaznimin. Pas analizës së thukët dhe shqyrtimit të të gjitha fakteve, kryesia e klubit ka vendosur të shkëpusë kontratën me basketbollistin Ivan Koljeviq. Ai gjatë dhe pas ndeshjes me Vëllaznimin ishte destruktiv në raport me skuadrën. Ka fyer kryesinë, trajnerin dhe lojtarët e tjerë. Është hera e dytë që lojtari në fjalë bën sjellje jo të mira dhe jo të pranueshme”, thuhet në komunikatën e Trepçës. “Hapësirë për falje më nuk ka, sidomos pas postimit të tij të fundit. Pa biseduar as me kryesinë e as me asnjë anëtar të klubit ai deklaron se shkon për shkaqe familjare, gjë që nuk është e vërtetë. Të gjithë që vinë në klubin tonë duhet ta kuptojnë që duhet respektuar fanella dhe qyteti, sepse ky qytet ka bërë shumë sakrificë për Trepçën tonë. Klubi është mbi të gjitha! Vazhdojmë para për një Trepçë çfarë e meritojnë Torcida e Mitrovica”.

Koljeviq iu bashkua Trepçës në fund të muajit janar dhe ishte më i dalluari në ekip. Në dhjetë ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës, Koljeviq ka pasur një mesatare prej 20.5 pikëve dhe 9.6 asistimeve. Trepça aktualisht është në pozitën e gjashtë në tabelë me 35 pikë të mbledhura pas 25 ndeshjeve të luajtura.

Kjo lëvizje e Trepçës po vlerësohet e ngutur. Të ngutshme po vlerësohen edhe të gjitha lëvizjet e klubeve tjera që po i bëjnë në prag të garave të plejofit. Në fakt lëvizjet e tilla po shihen si dëshmi e jostabilitetit të tyre në pjesën më të ndjeshme të sezonit.

“Mendoj se Trepça ka gabuar që ka liruar një lojtar si Koljeviqi, i cili për mua ishte edhe trajner në parket, pavarësisht asaj se çfarë ka ndodhur mes palëve. Mirëpo nuk më duket mirë që një lojtar i tillë të lirohet pikërisht pak para plejofit kur edhe nuk mund të zëvendësohet”, ka thënë trajneri i mirënjohur kosovar Bujar Loci për KOHËN të martën. “Në përgjithësi mendoj se klubet nuk kanë pasur vazhdimësi këtë edicion për faktin se nuk janë stabilizuar me lojtarët. Nuk është mirë që të bëhen ndryshime të shpeshta pasi edhe lojtarëve duhet t’u jepet pak kohë që të adaptohen. Mendoj se ndërrimet e shpeshta pamundësojnë që ekipi të tregohet stabil për shkak se vazhdimisht duhet ndryshuar sistemi”.

Në fakt ndryshimet si të lojtarëve ashtu edhe trajnerëve këtë edicion në Superligën e Kosovës kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Me përjashtim të Ponte Prizrenit, të gjitha skuadrat e tjera kanë ndërruar trajnerët. Ka prej tyre që kanë ndërruar katër trajnerë, siç është KB Peja që ende nuk është stabilizuar. Pejën javë më parë e mori Dragan Radoviq, i cili e udhëhoqi vetëm në një ndeshje, kurse në dy të tjerat, ekipi u udhëhoq nga kapiteni Dardan Berisha për shkak se trajneri ishte i infektuar me koronavirus. Peja e nisi edicionin me kroatin Edi Xhelalija, vazhdoi me turkun Shemsettin Bash e maqedonasin Jordanço Davitkov për ta mbyllur me Radoviqin. Aktualisht ekipi pejan është në pozitën e katërt të tabelë me 38 pikë.

Peja ka një seri negative në shtatë xhirot e fundit, ku ka regjistruar gjashtë humbje rresht. Ndryshime këtë muaj ka pasur edhe te Rahoveci, ku është liruar amerikani Isaiah Traylor për ta lënë vendin e lirë për Darell Davisin derisa Bashkimi që po lufton për një vend në plejof ka sjellë në krye të ekipit trajnerin kroat Franko Sterle që në katër ndeshje ka vetëm një fitore.

“Skuadrat duhet të tregohen më të durueshme më lojtarët, t’u japin pak më shumë kohë dhe jo të bëjnë ndërrime të shpeshta, të cilat pastaj po iu kushtojnë në fund të edicionit”, ka thënë Loci.

Pas përfundimit të pjesës së rregullt, gjashtë skuadra do të vazhdojnë garat në plejof. Dy të parat kualifikohen direkt në gjysmëfinale derisa prej vendit të tretë deri në të gjashtin do të luajnë në ndeshjet çerekfinale. Skuadra e parafundit në tabelë do të luajë në plejaut derisa e fundit do të largohet nga elita.