Klosi: Rritja e turizmit Kosovë – Shqipëri shton përgjegjësinë institucionale

Ministri i Mjedisti dhe Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, në “Express Intervistën” në KTV ka dhënë detaje për ofertën turistike që sjell Shqipëria sivjet.

Ai ka thënë se Shqipëria është shtëpia për tërë shqiptarët, në të dyja anët e bjeshkëve. Derisa ka theksuar se sa më shumë që ka rritje të turizmit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë atëherë shtohet edhe përgjegjësia institucionale.

“Ka më shumë turistë nga Kosova në Shëngjin, dhe një pjesë e madhe e tregtisë bëhet nga vet kosovarët. Nëse turizmi është trajtuar vetëm si pjesë e pushimeve, tani ka filluar të trajtohet edhe si biznes. Sa më shumë që ka lëvizje të ndërsjella Kosovë – Shqipëri, atëherë rritet përgjegjësia e institucioneve. Nuk mund të pranojmë që në kufi të kenë trajtim të njëjtë si në verë ashtu edhe në periudhat e tjera”, ka thënë Klosi.

Ai thotë se ka rritje të turistëve nga Kosova në këtë vit, përkundër tarifës së autostradës.

“Tashmë dy dekada biznesmenët nga Kosova bëjnë biznes atje, sidomos në Durrës, Shëngjin e Velipojë. Tani i gjithë bregdeti është një ofertë turistike. Numri më i lartë i turistëve është nga Kosova, ka një rritje për 19 për qind që tregon se janë rritur barrierat. Përpjekja jonë më e madhe është që të mos bëhet një ndarje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, dhe të kenë një ofertë turistike në të dy vitet. E kjo duhet të përfshijë turistët jo shqiptarë, që vijnë pra nga vendet e tjera të Evropës”, është shprehur Klosi.

Sipas tij ajo çfarë na duhet ne është se turistët që vijnë në Shqipëri, pse të mos e vizitojnë edhe Kosovën, të kenë një ditë në Prishtinë apo në Prizren.

Tutje ai ka folur edhe për ndikimin negativ të protestave të opozitës në Shqipëri.

“Protestat kanë ndikuar negativisht në numrin e turistëve brenda Shqipërisë, e kjo është vërejtur në maj, që ishte një muaj që pësoi rënie në krahasim me vitin e kaluar. Ka anulime të vizitave nga turistët”, u shpreh ai.

Klosi ka thënë se në Shqipëri janë shtuar kapacitetet hotelerie.

“Turizmi ndikon drejtpërdrejt te bizneset familjare, e kjo goditje e turizmit nga protestat nuk ndikon në mazhorancë, por ndikon pra negativisht në ekonomi”, u shpreh Klosi.

ai ka folur për rëndësinë që ka luajtur rregullimi i infrastrukturës rrugore në shtimin e turistëve.

“Shifrat e këtij viti tregojnë rritje të turistëve kosovarë në Shqipëri. Tarifa e autostradës nuk është ndaj kosovarëve, por për ata që e përdorin autostradën. Ajo ka një kosto që është normale. Pra, në botën e turizmit infrastruktura rrugore është A-ja dhe sa më e mirë të jetë ajo aq më i madh do të jetë numri i turistëve”, ka thënë Klosi.

Por, përveç gjërave pozitive ai ka treguar se shqetësuese mbetet abuzimi me çmimet.

“Kudo në bregdet ka një abuzim me çmimet, me ato gjërat që nuk ndodhin në ditët normale. Është një shqetësim, dhe ka pasur një rritje të kontrollit më 2018. Do të doja të ftoja të gjithë turistët që ta denoncojnë secilën parregullsi te autoritetet. Është një situatë që ka nevojë për aleancë. Janë krijuar struktura të vërteta hotelerie në Shqipëri, që nuk bëjnë lojëra me çmimet. Sa më shumë t’i përmendim gjërat aq më mirë do të bëhet”, ka thënë Klosi.

Tutje ai ka shtuar se, “kemi nevojë për një aleancë edhe me mediat që ta promovojmë turizmin. Turizmi është një ekonomi shumë e rëndësishme për vendet tona”.