Trajneri i shkarkuar

Klopp thotë se Mourinho duhet t’i marrë përgjegjësitë për gjendjen te Unitedi

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka treguar se ndihet keq për shkarkimin e Jose Mourinhos nga stoli i Manchester Unitedit, por shtoi se portugezi duhet t’i pranojë përgjegjësitë që ka për situatën aktuale te “Djajtë e Kuq”.

Mourinho u largua nga drejtimi i Unitedit të martën në mesditë pas rezultateve të dobëta që kulmuan me humbjen në derbin kundër Liverpoolit, disfatë kjo që i la 20 herë kampionët e Anglisë 19 pikë larg liderit të Premier Leagues.

“Ai dëshiroi të jetë i suksesshëm te Unitedi dhe ia doli, por pastaj nuk funksionoi në mënyrën që të gjithë synonin. Në këto situata duhet t’i pranoni pasojat, kështu është në punën tonë. Vlen edhe për mua, nëse klubi mendon se dikush tjetër mund ta bëjë detyrën time më mirë, atëherë duhet ta bëjnë ndryshimin. Ndonjëherë gjëja e vetme që na shpëton ne trajnerëve, është kostoja e shtrenjtë për klubet”, u shpreh Klopp.

Trajneri gjerman theksoi se nuk është i shqetësuar për të ardhmen e Mourinhos, duke thënë se mjafton që të ketë interesim nga ana e 55 vjeçarit dhe shumë skuadra do të ishin të gatshme për ta emëruar trajner.

Jose Mourinho gjatë dy viteve e gjysmë të kaluara në “Old Trafford” arriti të fitojë 3 trofe, Community Shield, EFL Cup dhe Europa League, të gjitha këto në sezonin e tij të parë.