Klopp thotë se Liverpooli duhet ende të përmirësohet

Sipas trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp, “The Reds” janë ende në kërkim të gjetjes së balancit mes mbrojtjes solide dhe sulmit efikas.

Liverpooli kishte një repart ofensiv të mrekullueshëm gjatë sezonit të kaluar duke arritur deri në finalen e Champinons Leagues, të cilën e humbën 3-1 ndaj Real Madridit edhe për shkak të problemeve në mbrojtje.

Gabime në defansivë ndikuan që klubi nga Merseyside të përfundojë sezonin në vendin e 4-të në Premier League dhe duke pësuar më shumë gola se skuadrat që ishin rradhitur më lartë se ta.

Megjithatë janë vërejtur dallime të ndjeshme nga edicioni i kaluar, gjersa Liverpooli ka pranuar vetëm 5 gola në Premier League këtë stinor, aq sa edhe lideri, Manchester City.

Por këtë rradhë sulmi është ngadalësuar paksa gjersa ka realizuar në total 26 gola, 14 më pak se skuadra e Guardiolas.

Duke folur në konferencën për shtyp në prag të derbit me Evertonin, Klopp insistoi në fokusimin e përmirësimeve në mbrojtje.

“Për të qenë i sinqertë, për mua është pak e çuditshme. Kur gjithçka është e mrekullueshme dhe ne shënojmë shumë gola, ju gjithmonë më pyetni për mbrojtjen dhe si mund t’i rregullojmë problemet në atë repart. Ne kemi filluar t’i rregullojmë paksa, gjithmonë ndodh që hapi i parë në këtë drejtim të heq diçka nga efikasiteti dhe kreativiteti, gjë që është normale. Tashmë që kemi filluar të stabilizohemi në mbrojtje, nuk mund t’i them djemve që nuk jemi mjaftueshëm të mirë në sulm, do të ishte çmenduri. Ne duhet të përmirësohemi ende”, tha Klopp.

Trajneri gjerman refuzoi idenë e përforcimeve në janar, duke thënë se një lojtar nuk mund të ndryshojë asgjë, ndërsa insistoi se Liverpooli nuk ka probleme në krijimin e rasteve.