Klopp sheh te Shaqiri potencial të madh

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka pranuar se Xherdan Shaqiri i ka kaluar pritshmëritë e tij, pasi që është bërë shumë vendimtar për skuadrën e tij, por pret që ai të përmirësohet edhe më shumë.

Shaqiri u transferua në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës për 13.5 milionë euro nga Stoke City, ku kishte kaluar tre sezone. Ai vendosi të largohej pasi që ish-klubi i tij ra nga Premierliga në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli.

Shqiptari ka filluar ta dëshmojë talentin e tij në “Anfield” gjatë së kohës së fundit, kur ka filluar të luajë më shumë për skuadrën e Jurgen Klopp. Në ndeshjen e fundit të Premierligës, ai arriti ta shënojë golin e dytë për Liverpoolin.

Kur u pyet nga gazetari i faqes zyrtare të klubit anglez nëse Shaqiri i ka përmbushë pritshmëritë, trajneri i Liverpoolit ka thënë: “Po, ose edhe i ka kaluar ato. Çfarë mund të them?”

“Ai është një lojtar fantastik në fazën e sulmit, kjo është një shumë e mirë dhe ai e di se ka potencial për t’u përmirësuar edhe më tutje”, shtoi Klopp.

“Por, natyrisht, ai është djaloshi i duhur për momentet vendimtare, kështu është për momentin dhe ne duhet të sigurohemi se do të mbetet kështu. Ai e bëri një paraqitje tjetër shumë të mirë dhe e shënoi një gol fantastik”.