Jurgen Klopp ka thënë se ekzistojnë 500 mënyra për ta fituar një ndeshje futbolli dhe se fitorja e Liverpoolit kundër Tottenhamit me një gol të vonshëm ishte e shëmtuar, por i lartësoi tifozët për, siç tha, përkrahjen e përmirësuar.

Autogoli i Toby Alderweireld në minutën e 90-të i dha Liverpoolit një fitore shumë të rëndësishme në garë për titull në Premierligë, që nënkupton se të kuqtë janë vetëm dy pikë larg liderit, Manchester Cityt, edhe pse skuadra e Pep Guardiolës ka një lojë më shumë për të zhvilluar.

Klopp i lëvdoi shumë tifozët vendas, të cilët i qëndruan besnik skuadrës së Liverpoolit edhe pas golit të barazimit të Lucas Mouras, njëzet minuta para fundit. Ai thotë se e ka vërejtur një ndryshim të madh dhe një përmirësim në mesin e përkrahësve, duke këmbëngulur se të fitosh në mënyrë të shëmtuar është pjesë e lojës.

“Turma ishte e shkëlqyer, atmosfera e jashtëzakonshme. Ata na dhanë shtytje dhe në fund na ndihmoi. Është një ndryshim i madh, përmirësim i madh”, tha Klopp.

“U kam thënë djelmoshave se ekzistojnë 500 mënyra për të fituar një ndeshje futbolli dhe sot ishte goxha e shëmtuar. Kujt i bën në fund? Kujt i bën? E tillë është situata”, shtoi ai.