Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp nuk ndjen presion pavarësisht se “The Reds” konsiderohen bashkë me Manchester Cityn favoritë për ta fituar Premier Leaguen këtë edicion.

Liverpooli është një nga tre skuadrat që ende nuk janë mposhtur në Premier League, edhe pse në Champinons League kanë dy disfata.

Kur u pyet për pritshmëritë ndaj Liverpoolit që janë triumfi në Premier dhe Champions League, Klopp u përgjigj:

“Unë nuk ndjej presion. Gjithmonë japë më të mirën nga vetja dhe në këto momente mund të bëjë më mirë. Pres shumë nga vetja por nuk kam presion, ne synojmë të fitojmë secilën ndeshje dhe nëse nuk e arrijmë tentojmë përsëri. Derisa fitojmë dhe rezultatet janë të mira, gjithkush thotë se unë jam trajner i mirë, por në momentin që gjërat fillojnë të komplikohen të tjerët thonë se ndoshta nuk është trajneri i duhur për ne. Nëse jeni të vetëdijshëm për këtë fakt si mund të keni presion?”, deklaroi Klopp.

Ish trajneri i Borussia Dortmundit aplikoi formacionin 4-2-3-1, me Shaqirin, Firminon dhe Manen prapa shpinës së Salah, sistem ky që funksionoi në fitoren 2-0 ndaj Fulhamit.

Sidoqoftë Klopp e ka hedhur poshtë rëndësinë e formacioneve duke thënë se detyrë e tij është t’i gjejë pozitën më të përshtatshme futbollistëve në mënyrë që të tregojnë kualitetin e tyre.

Jurgen Klopp u emërua trajner i Liverpoolit në tetor të vitit 2015, ndërsa nga ajo kohë ende nuk e ka fituar asnjë trofe ndërsa numëron edhe 2 finale të humbura në Europa League dhe Champions League ndaj Sevillas respektivisht Real Madridit.